Shpërthimet me tritol, reagojnë partnerët ndërkombëtarë

10/02/2015 00:00

Vendosja e eksplozivit në 3 objekte të ndryshme në kryeqytet ka prodhuar reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, zyrës së Bashkimit Europian dhe prezencës së OSBE-së.

Nëpërmjet një njoftimi për median selia e Uashingtonit në vendin tonë se “dënon me forcë përdorimin e eksplozivëve në sulme të veçuara në Tiranë”.

“Përdorimi i dhunës si mjet kanosjeje dhe trysnie është një akt burracak që minon demokracinë dhe nuk ka vend në Shqipërinë e sotme”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.

Në vijim të deklaratës SHBA thekson mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit.

“Ambasada e SHBA është krenare të vazhdojë mbështetjen e saj afatgjatë për Ministrinë e Brendshme, Policinë dhe të tjera shërbime të sigurisë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve dhe korrupsionit”, vijon deklarata.
 
Ndërsa delegacioni i Bashkimi Euripian në Shqipëri thotë se “është i tronditur nga shpërthimet dhe i dënon ato pa rezerva”.

“Ne nënvizojmë mbështetjen tonë të fuqishme për forcimin e shtetit ligjor, pa kompromis. Ne besojmë se autorët e krimit do të dalin para drejtësisë dhe presim që të gjitha forcat politike të bashkohen për ta mbështetur këtë synim”, thuhet në reagim.

Duke iu referuar qëndrimeve politike të opozitës për këtë çështje delegacioni BE-s tërheq vëmëndjen duke kërkuar bërjen kujdes.

“Ne presim sjellje dhe ligjeratë të përgjegjshme nga të gjithë ata që marrin pjesë në jetën publike, sidomos për çështjet e shtetit ligjor, në funksion të interesave kombëtare të Shqipërisë”, vijon deklarata.
 
Edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon fuqishëm të gjitha aktet e dhunës.

“Aktet e dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri moderne dhe demokratike” thuhet në deklaratë .

OSBE-ja  u bën thirrje të gjitha forcave politike të shmangin politizimin e sulmeve dhe t’u japin autoriteteve përkatëse hapësirën për t’i hetuar plotësisht këto akte dhe për të identifikuar e vënë përpara drejtësisë përgjegjësit”.

Top Channel