Ndërkombëtarët dënojnë gjuhën e urrejtjes në politikën shqiptare

10/02/2015 00:00

Deklaratat e misioneve diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, përveç toneve të ashpra në dënimin e shpërthimeve terroriste dhe mbështetjes së pakufi ndaj Ministrisë se Brendshme dhe organeve ligjzbatuese, dënojnë më shumë se nën rreshta gjuhën e urrejtes dhe konfliktit në politikën shqiptare.

Deklaratat në mbështetje të Ministrisë së Brendshme dhe policisë jo rastësisht erdhën vetëm pak orë pasi edhe këto akte terrori nisën të ktheheshin në objekt të një debati politik, e ku Partia Demokratike aludoi se ngjarjet e rënda janë produkt i lidhjeve dhe lojërave politike me krimin dhe akuzoi se më shumë se reagim i krimit është tejkalim i kufijve mes policisë dhe bandave kriminale, kufinj që sipas opozitës tashmë nuk janë të dallueshëm.
 
Por, kjo gjuhë e përdorur sot për aktet e terrorit dhe gjuha e përdorur thuajse çdo ditë në salla konferencash apo parlament për çdo ngjarje dhe çdo dukuri, duket se nuk ka lënë indiferent dy selitë kryesore diplomatike. Të dyja këto, duke përdorur një gjuhë direkte, edhe pse pa vënë gishtin direkt tek opozita, kanë gjetur mënyrën që të shprehin kundërshtinë me këtë sjellje të saj.

Ndërsa opozita akuzon ministrin dhe policinë, Shtetet e Bashkuara janë rreshtuar pa ekuivok pikërisht përkrah Ministrisë dhe Policisë, ndërkohë që Bashkimi Europian deklaratat dhe sulmet i ka vlerësuar si të papranueshme, duke i kërkuar opozitës të heqë dorë nga ligjërimi politik.

Tashmë që të gjithë aktorët kanë folur qartë, mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i eksponentëve të Partisë Demokratike pas këtyre dy qëndrimeve të forta të SHBA-së dhe BE-së.

Top Channel