Indrit Çela: Triumfi në “Masterchef” do më rikthejë në Shqipëri

10/02/2015 00:00

Për javë me radhë, të shtunave na ka shoqëruar një ndër spektaklet më interesante dhe më të bukur në Shqipëri, “Masterchef Albania 2”. Ai ka mbërritur në etapën e fundit të tij, ku në finale do të përballen me njëri-tjetrin dy djem: Indrit Çela dhe Bleri Dervishi.

Indriti ka qenë i ftuari i radhës në studion e “Pasdite në Top Channel”, ku ka folur për gjithçka, emocionet dhe eksperiencën e fituar në garën e “Masterchef”, por edhe pritshmërinë e tij nga finalja.

TCH: Shumë pak ditë na ndajnë pikërisht nga ajo finale e magjishme e edicionit të dytë të “Masterchef Albania”, por a e kishte menduar Indriti se do t’i shkonte deri në fund këtij konkurrimi?

Indrit Çela: Mendoj se ia arrita ëndrrës për të qenë deri në finalen e Masterchef, por nuk dua të ndalem këtu, pasi më mungon triumfi. Është një emocion shumë i madh, pasi aty shprehim talentin dhe pasionin tonë për kuzhinën, dhe kjo ishte një mundësi shumë e madhe për ne, sidomos për ne të rinjtë që jemi rritur jashtë, në Itali, por që u rikthyem këtu për të bërë diçka të mirë.

TCH: Sa ju ka ndihmuar pjesëmarrja në Masterchef dhe a ka qenë ndër gjërat më të bukura në jetën tuaj?

Indrit Çela: Masterchef, sa më përket mua, më ka dhënë emocione shumë të mëdha. Të kesh një talent dhe ta shprehësh nuk është gjithnjë e lehtë, ndaj dhe ky programacion na ka ndihmuar të shprehemi për gjithçka kemi brenda nesh. Edhe pse nuk kemi njohuri shumë të mëdha për kuzhinat e ekspertëve, por të shprehësh talentin është sërish një gjë e madhe për ne.

TCH: Megjithatë në finalen e madhe Indriti nuk do të jetë i vetëm në garë, pasi është edhe Bleri Dervishi, rivali i fundit i tij të cilin shpreson ta mposhtë në finalen e madhe. Sivjet ka pasur konkurrentë të fortë, por edhe prurje e risi në mënyrën e zhvillimit të programit. Ju vetë kë keni ndjerë si rival më të fortë, ndaj të cilit si të thuash keni pasur frikë?

Indrit Çela: Rivalin më të fortë mendoja Irdin, por edhe Blerin, por më shumë Irdin, sepse ai ishte si piktor dhe i zbukuronte shumë bukur pjatat e tij. Veri ishte gjithashtu i denjë për një gjysmëfinale madhështore, pasi ishim katër konkurrentë me eksperiencë në kuzhinën italiane, e cila është më e preferuara në gjithë botën.

TCH: Sa i përket trofeut të “Masterchef Albania”, kujt mendon se do t’i shkojë fitorja?

Indrit Çela: Fitorja mua do të më rikthejë në atdhe pas 15 vitesh që jetoj pak a shumë në të gjithë botën. Unë jetoj në Itali me vëllain, vijnë edhe prindërit na vizitojnë shpesh, por kam jetuar edhe në Amerikë dhe vende të tjera…

TCH: Tashmë janë shtuar fanset… Raportet e Irdit personazh publik me të tjerët në rrugë?

Indrit Çela: Jemi në një moment delikat tani, nuk dua t’u jap asnjë mesazh vajzave, por më bëhet qejfi që shprehen dhe prezantohen rrugës, sepse ka edhe disa njerëz që të njohin por nuk të thonë gjë. Shprehja e tyre në fakt na emocionon më shumë, megjithëse Indritit nuk ia ka rrëmbyer ende asnjë femër.

TCH: Kur bëhet fjalë për këto pjata kaq të bukura, të dekoruara me kaq art dhe pasion. Një aromë që ndihet nga shumë larg, si mund t’u rezistosh?

Indrit Çela: E vështirë është, por është çështje profesioni dhe ai që mësohet me to nuk e ka shumë problem tundimin.

TCH: Pas Masterchef çfarë ke menduar të bësh?

Indrit Çela: Dua të vazhdoj ëndrrën, të filloj të gatuaj diçka dhe të shprehem por këtu në Shqipëri. Sigurisht dua të jap diçka që më përfaqëson dhe që e bëj me dashuri dhe pasion. Shpresoj shumë që ta fitoj, edhe pse Bleri është një konkurrent shumë i fortë dhe një finalist i denjë.

Top Channel