Kosovë, përmbytje nga shirat; kërkime për një 12-vjeçar në lumin Sitnica

09/02/2015 00:00

Gjatë ditës së hënë, ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së kanë vijuar kërkimet për Arlind Gashin nga fshati Rufc i Vjetër i komunës së Lipjanit, i cili ka humbur në ujërat e lumit Sitnica.

Ministri i FSK-së, Haki Demolli dhe komandanti Kadri Kastrati vizituan ekipet e shpëtimit, ku u njohën me detajet e operacionit që ka filluar që nga data 6 shkurt, në një gjatësi prej 3 kilometrash nga vendi ku dyshohet se ka rënë 12-vjeçari. Operacioni vështirësohet nga rritja e nivelit të ujit dhe prurjet e inerteve.

Lumi Sitnica ka dalë jashtë shtratit në qytetin e Mitrovicës duke
përmbytur qindra hektarë tokë të punueshme dhe disa shtëpi buzë brigjeve
të saj.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, Musa Dragaj, tha se uji ka depërtuar në pesë shtëpi afër tregut të bagëtive, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në orendi shtëpiake, serra, ushqim për kafshë etj.

Ndërsa në lagjen “2 Korriku” në Mitrovicë, sipas Dragajt, Sitnica ka përmbytur 11 shtëpi duke shkaktuar dëme. 6 prej këtyre shtëpive me 28 anëtarë janë të bllokuara tërësisht nga uji, por nuk kanë pranuar të evakuohen.

Po ashtu edhe në Gjilan moti i keq dhe rritja e nivelit të ujërave ka dëmtuar tri ura në në Goden, Përlepnicë dhe Sllubicë. Nga ana tjetër, edhe KEDS njoftoi për një mori defektesh në sistemin e shpërndarjes së energjisë në të gjithë Kosovën si pasojë e vërshimeve dhe erërave të forta.

Dëme materiale ka edhe në objekte banimi e infrastrukturë rrugore, çka vështirëson transportimin e mjeteve për riparimin e defekteve.

“Në anën tjetër, duke qenë se kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike në vend janë të limituara, ne kemi vazhduar me import shtesë të energjisë elektrike duke tejkaluar kështu me 80 000 MW sasi të importuara të energjisë elektrike nga gjysma e dhjetorit 2014, sasi kjo jashtë bilancit energjetik të aprovuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. I gjithë ky import shtesë i financuar nga KEDS është bërë me qëllim që të ketë energji të mjaftueshme për të gjithë gjatë këtyre muajve të ftoftë të dimrit”, njoftoi KEDS në komunikatë.

Top Channel