Dialogu me Serbinë, Vetëvendosje proteston në Bruksel

09/02/2015 00:00

Dhjetëra përfaqësuesë të lëvizjes Vetëvendosje protestuan të hënën përpara ndërtesës së shërbimit diplomatik të BE-së kundër zhvillimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli mes Kosovës dhe Serbisë.

Disa orë përpara mbërritjes së delegacioneve përkatëse nga Prishtina dhe Beogradi, protestuesit kërkuan ndërprerjen e bisedimeve të raundit të 24-t të këtij dialogu, që rinis pas 10 muajsh ndërprerje për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

“Kosova po bëhet më keq nga ky dialog që s’mbaron”, “Ndal paqësimit fashist të BE-së”, “Jo negociata pa kthyer të pagjeturit”, “Trepça është pasuri kombëtare”, “Drejtësia dhe sovraniteti janë të panegociueshme”, thuhej në disa prej pankartave të përfaqësuesve të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët akuzuan kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin Hashim Thaçi si “tradhëtarë” të interesave kombëtare.

Ndërsa pala serbe pretendon të diskutojë në mbrëmje mbi minierën e Trepçës dhe shkarkimin e ministrit serb Jabllanoviç, pala kosovare synon funksionimin e sistemit gjyqësor në veri të vendit.

Për Bashkimin Europian, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë, Koçijançiç shpjegoi se tryeza parashikon bisedime mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe për temat që do të trajtohen në të ardhmen.

Ndalesa e parë për delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë, respektivisht, do të jetë zyra e Komisionerit Hahn, përpara mbajtjes së takimeve të posaçme, e më pas mbledhja e përbashkët nën drejtimin për herë të parë të shefes së re të diplomacisë, Mogherini.

Top Channel