Rezervuari i Manskurisë nën kontroll, diga nuk përbën më rrezik shembjeje

08/02/2015 00:00

Rezervuari i Manskurisë u vendos në kontroll. Diga e tij rrezikohej të çahej dhe të përmbyste të gjithë zonën e Golemit dhe një pjesë të mirë të plazhit të Durrësit.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se e keqja nuk ka kaluar dhe të gjitha strukturat dhe qeveria janë në gadishmëri.

“Të gjitha forcat janë në gadishmëri, prioriteti është shmangia në maksimum e çdo pasoje dhe organizimi i të gjithë rrjetit të solidaritetit dhe dhënies ndihmë për të gjithë qytetarët të cilët janë në kushte të vështira për shkak të përmbytjeve. E gjithë qeveria është në këmbë dhe të gjitha strukturat janë në gadishmëri maksimale”, deklaroi zoti Tahiri.

Ndërsa ministri Haxhinasto u shpreh se me ndihmën teknike të siguruar edhe nga Kosova po shkohet drejt stabilizimit të gjendjes: “Mund të them se situatën e kemi në kontroll. Kjo ka ardhur pas angazhimit të të gjitha institucioneve. Është hapur sistemi i shkarkimit të rezervuarit që ishte bllokuar si pasojë e realizimit të projektit në mënyrë të gabuar.”
 
Specialistët po kryejnë pastrimin e sistemit të shkarkimit dhe kthimin e tij në funksion të plotë.

Top Channel