Kosovë, frenohet “hemoragjia” e emigrantëve

07/02/2015 00:00

Mobilizimi i institucioneve të Kosovës për të kontrolluar mënyrën e transportit të kosovarëve nga Kosova në Serbi, si dhe publikimi i imazheve të frikshme nga terrenet ku kalojnë ilegalisht emigrantët ka ndikuar në ndaljen e fluksit masiv.

Vetëm në dy netët e fundit inspektorët e Ministrisë së Infrastrukturës kanë ndaluar dhe kthyer mbrapsht 11 autobusë me kosovarë që donin të kalonin kufirin mes Kosovës dhe Serbisë pa asnjë liçencë të shtetit Kosovës për transport udhëtarësh.

Kjo ka bërë që të ulet edhe numri i udhëtarëve në stacionin e autobusëve në Prishtinë, i cili për disa javë ishte i tejmbushur me qytetarë që iknin përmes Serbisë drejt vendeve evropiane.

Drejtori i Inspeksionit në Ministrinë e Infrastrukturës, Çerkin Dukolli tha përmes telefonit për Top Channel se që nga data 2 shkurt kanë marrë kërkesë nga Policia Kufitare që të asistojnë dhe të monitorojnë liçencat e kompanive që transportojne qytetarët.

Dukolli tha se inspektorët e dikasterit të tij kanë dërguar në gjykatë 11 kompani turistike që janë zënë duke operuar pa liçenca ose duke tejkaluar liçencat.

Por për këtë ndërhyrje kaq të vonshme të shtetit, tani kur kanë ikur mbi 50 mijë kosovarë, Bekolli tha se, sipas nenit 54 të ligjit për transport edhe Policia Kufitare ka mundur t’i verifikojë liçencat.

Ndërsa në Policinë e Kosovës të shtunën nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje. Krerët e institucioneve kosovare ndërkohë kanë nisur të vizitojnë komunat nga ku ka më së shumti fluks të qytetarëve në ikje.

Ndërsa për gjendjen e krijuar lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një aksion simbolik në Prishtinë. Aktivistët e saj kanë vendosur një imitim autobusi në hyrjen e selisë së qeverisë, me fotot e liderëve të institucioneve të vendit duke udhëtuar drejt Serbisë për në Hungari.

Top Channel