Braktisja masive e Kosovës, a do e frenojnë autoritetet në Prishtinë?

07/02/2015 00:00

Për të folur për braktisjen masive të Kosovës dhe për masat që do të merren nga qeveria, në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” foli zëvendësministri i Integrimeve Europiane të Kosovës, Ramadan Ilazi, i cili ka qenë pjesë në takimin mes krerëve të shtetit të Kosovës me ambasadorët e vendeve kryesore të BE, të zhvilluar dy ditë më parë.

Pandi Gjata: Cilat janë masat e marra nga qeveria e Kosovës për të frenuar këtë ikje masive nga qytetarët?

Ramadan Ilazi: Nuk është aspak e lehtë për ne të shohim këto pamje të një tragjedie njerëzore që po ndodh. Ky veprim po shtyhet nga gjendja e rëndë sociale dhe ekonomike në Kosovë, mungesa e vendeve të punës. Duke ditur arsyet që po shtyjnë qytetarët të largohen në mënyrë masive, qeveria mund të gjejë rrugët e duhura për të zgjidhur këtë problem. Ne ishim në një mbledhje te Presidentja Jahjaga, pikërisht për të diskutuar për masat konkrete që institucionet duhet të ndërmarrin. Në këtë takim ishin ministritë që kanë përgjegjësi direkte në këtë çështje. Kemi rënë dakord për disa veprime…

Pandi Gjata: Konkretisht cilat janë këto veprime?

Ramadan Ilazi:  Ministria e Punëve të Brendshme ka si përgjegjësi të pengojë kompanitë e transportit, të cilat nuk kanë autorizimet e duhura për transportin e pasagjerëve. Ministria e Infrastrukturës do të kontrollojë licencat e këtyre kompanive. Policia ka ndaluar menjëherë disa autobusë. Ministria e Integrimit Europian është përgjegjëse për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi pasojat e emigrimit jo të rregullt. Një rrjet i sofistikuar po shpërndan informata të gabuara të qytetarët, duke i mashtruar se mund të fitojnë azil. Qytetarët e kuptojnë të vërtetën, por atëherë është vonë. Ka shumë qytetarë në kampe në Hungari që dëshirojnë të kthehen në Kosovë, por nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Ne jemi interesuar për këtë problem, pasi qytetarët po lejohen të futen në Hungari, por jo të kthehen në Kosovë me letërnjoftim.

Pandi Gjata: Tani që ne po flasim, nga qendra e Prishtinës a do të lejohen të nisen autobusë drejt Serbisë dhe a do të pengohen në kufirin me Serbinë?

Ramadan Ilazi: Kjo është një çështje komplekse. Policia e Kosovës ka bërë përpjekje për të ndaluar autobusët për të kaluar kufirin, por pastaj jemi kritikuar nga BE-ja se jemi duke penguar lirinë e lëvizjes.

Pandi Gjata: A keni një statistikë të saktë se sa është numri i personave që janë larguar nga Kosova?

Ramadan Ilazi: Për vitin 2014, duke përjashtuar disa vende që ende nuk kanë dorëzuar statistikat, kemi 26 mijë qytetarë të larguar. Unë mendoj që ky numër do të jetë edhe më i madh. Në këtë periudhë të 2015 kemi pasur deri më 19 janar deri në 4 mijë persona që janë futur në mënyrë ilegale në shtetin e Hungarisë, por dhe kjo shifër nuk mund të cilësohet e saktë, pasi këta janë vetëm qytetarët e regjistruar nga policia në Hungari. Për sa i përket masave, ministri i Integrimit Europian ka propozuar një task-forcë, si një qendër koordinimi të të gjitha përpjekjeve për të adresuar problemet me emigrimin e parregullt. Unë jam i informuar se Kryeministri Mustafa do të flasë me homologun e tij serb dhe atë hungarez për të diskutuar në lidhje me këtë temë. Ne kemi pasur fillimisht nga policia serbe një përgjigje jo adekuate në përpjekjen e institucioneve për të bashkëpunuar me policinë serbe.  

Pandi Gjata: Meqenëse jemi te Serbia, a e kini një përgjigje për pyetjen se përse Serbia nuk i ka ndaluar këta qytetarë? Autoritetet serbe ndalojnë çdo vetura që ikën ose vjen nga vendet e BE-së.

Ramadan Ilazi: Nuk mund të flasim për shtetin serb dhe nuk mund të spekulojmë mbi arsyet. Kjo është një pyetje që edhe ne po e bëjmë në mënyrë zyrtare.  Ka disa provokime që po vijnë nga Serbia në një situatë aspak të këndshme. Ditët e fundit, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë deklaroi se 60 mijë shqiptarë kanë kërkuar pasaportë serbe. Ky është një provokim i ulët i shtetit serb që vjen në një kohë aspak të përshtatshme dhe nuk i kontribuon frymës së bashkëpunimit. Ne kemi një marrëveshje me Serbinë për lëvizje të lirë dhe kjo është një marrëveshje që është arritur me shumë mund në kuadër të procesit të negociatave për normalizim të marrëdhënieve. Ne presim përgjegjësi edhe nga institucionet serbe që të marrin masat e duhura, sepse penalizimi më i madh do t’i bëhet sërish Kosovës. Kjo do të ketë ndikim edhe në liberalizimin e vizave, pasi është edhe një prej kritereve që BE-ja ka parashtruar, ai i reduktimit të numrit të emigrimit.

Pandi Gjata: Ju thatë pak më parë që kushtet ekonomike dhe problemet sociale janë arsyet kryesore që i bënë qytetarët e Kosovë të braktisin vendin. Por a keni një shifër të përafërt se sa është kostoja që kanë paguar këta qytetarëve për të ikur nga Kosova?

Ramadan Ilazi: Edhe kjo është një dilemë serioze sepse kjo më pas mund t’i japi përgjigje edhe disa pyetjeve, si për shembull se pse po ndodh me kaq lehtësi? Por këto shpenzime janë në varësi të rasteve nga 200 deri në 500 euro. Mbase këto para paguhen brenda territorit serb dhe duke pasur parasysh numrin e qytetarëve që po largohen dhe këto shumë, atëherë ne mund të nxjerrim një shifër, e cila ndoshta është me miliona euro.

Pandi Gjata: Nisur nga e gjithë kjo paket masash që po ndërmerr qeveria e Kosovës, kur mendoni se do të keni rezultatet e para për të frenuar largimin dhe braktisjen masive?

Ramadan Ilazi:
Kjo është një pyetje që kërkon një analizë më të thellë. Ne po flasim për masa emergjente dhe dëshirojmë që qytetarët të kuptojnë arsyet që mund t’i bindin ata për të migruar nuk qëndrojnë. Ata rrezikojnë të kthehen më të varfër sepse shumë qytetarë shesin pronat e tyre për të financuar këtë udhëtim dhe pastaj kthehen dhe e gjejnë veten më të varfër. Unë mendoj që shumë shpejt masat për të cilat jemi koordinuar dhe presidentja ka kërkuar do të japin rezultatet e para dhe kanë filluar t’i japin këto rezultate. Por ky është një fenomen që kërkon më shumë investim dhe kushte ekonomike.

Top Channel