Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën. Thaçi: Serbia të hetojë krimet e luftës

06/02/2015 00:00

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara debatoi të premten raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon mbi zhvillimet në Kosovë nga tetori 2014 në janar të këtij viti.

Sekretari i përgjithshëm u bëri thirrje autoriteteve kosovare që sa më shpejt të themelojnë Gjykatën e Posaçme, e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirje në krime lufte të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngritura në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2010.

Një pjesë të veçantë në raportin e sekretarit të përgjithshëm zë edhe shqetësimi për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po largohen nga vendi në rrugë të paligjshme.

I pranishëm në këtë seancë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi që Serbia të nisë hetimet e krimeve të luftës, të dokumentuara javën e kaluar nga organizata Fondi për të Drejtën Humanitare.

Sipas Thaçit, Serbia nuk ka nisur asnjë proces kundër disa qindra oficerëve dhe policëve të implikuar në këto krime. Ai i bëri thirrje lidershipit serb të gjejë forcën dhe të ballafaqohet me të kaluarën, ndërsa ftoi Këshillin e Sigurimit të kërkojë nga Serbia që ta marrë këtë raport me seriozitet të plotë.

Në fjalën e tij para përfaqësuesve të shteteve anëtare, Thaçi po ashtu prezantoi zhvillimet kryesore politike dhe ecuritë e verifikuara në Kosovë, jo vetëm në tre muajt e fundit, por në 7 vitet pas pavarësisë.

Thaçi foli edhe për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, duke fajësuar shtetin serb për vonesa në zbatimin e marrëveshjeve. “Kjo tregon se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga synimet dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Top Channel