Pasi munguan në mbledhjen e Qeverisë, ministrat serbë u nisën drejt Beogradit

05/02/2015 00:00

Ministrat serbë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë marrë pjesë të enjten në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

Pas shkarkimit të ministrit serb Aleksandër Jabllanoviç nga ana e kryeministrit Isa Mustafa, Lista Serbe ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë bashkëqeverisjen me PDK-në dhe LDK-në.

Burime të Top Channel brenda Qeverisë bëjnë të ditur se Jabllanoviç dhe ministrat e tjerë serbë të Kosovës kanë udhëtuar drejt Beogradit, për t’u konsultuar me kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për hapat e ri, që duhet të marrë Lista Serbe në Kosovë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, tha pas mbledhjes së Qeverisë se janë të hapur për të vazhduar partneritetin me Listën Serbe.

“E vërteta është se ministri Jabllanoviç nuk është pjesë e kabinetit qeveritar. Sot, në vendin e tij ka qenë zëvendësministri, i cili është emëruar disa ditë më parë. Ne besojmë në konstruktivitetin dhe partneritetin me Listën Serbe dhe jemi të hapur për bashkëpunim. Është një vendim që është marrë nga kryeministri dhe besoj se ka ende hapësirë të punojmë me Listën Serbe, në realizimin e objektivave të Qeverisë, integrimin e veriut, gjithashtu dhe të të gjithë komunitetit serb brenda Republikës së Kosovës”, tha Arban Abrashi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Përveç se në mbledhjen e së enjtes ku ata munguan, Abrashi tha se ministrat e tjerë të Listës Serbe kishin vijuar normalisht punën pas shkarkimit të Jabllanoviçit.

Top Channel