Kosovë, rezolutë për ndaljen e emigrimit

05/02/2015 00:00

Me 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës
kanë miratuar rezolutën për pengimin e emigrimit ilegal të qytetarëve
të Kosovës.

Kjo rezolutë detyron qeverinë e Kryeministrit Isa Mustafa që të ndërmarrë masa urgjente për ndryshime në legjislacion për të krijuar lehtësira që çojnë në hapjen e vendeve të reja të punës.

Draftin e rezolutës, e cila u harmonizua nga Grupet Parlamentare, e prezantoi në seancën e së enjtes deputetja Donika Kadaj Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Angazhim më i madh i qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë në shtimin e vendeve të reja të punës për qytetarë t e Kosovës. Nen dy krijimi i fondit për pengimin e migrimit ilegal. Nen tre, ndryshimi i politikave fiskale në përputhshmëri të plotë me kërkesat e kamotshme të bizneseve dhe lirimi i lëndës së parë nga taksa doganore, pagesa e brendshme e TVSH-së, e jo në kufij. Krijimi i menjëhershëm i lehtësirave doganore, tatimore dhe administrative për të gjithë ata të cilët hapin më tepër se dhjetë vende të reja të punës”, tha Donika Kadaj Bujupi, deputete e AAK.

Rezoluta e miratuar e detyron Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë masa të reja që Policia e Kosovës të luftojë grupet kriminale të trafikimit të njerëzve.

Ndërsa Ministria e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik,  ajo e Integrimeve e tjera duhet të raportojnë për çdo tre muaj në Kuvend për punën që kanë bërë në zbatim të masave që parashikon rezoluta për pengimin e emigrimit ilegal.

Teksa Kuvendi miratonte rezolutën që synon ndaljen e migrimit ilegal përmes masave që duhet të ndërmarrë qeveria, as Kryeministri dhe asnjë ministër nuk ndodheshin në seancën plenare të Kuvendit.

Për këtë ka reaguar edhe kryeparlamentari kosovar Kadri Veseli.

“Realisht është një situatë e ndjeshme dhe askush prej kabinetit qeveritar nuk është në këtë sallë. Ne po e vazhdojmë si do që të jetë, por do të ishte mirë dikush me qenë këtu nga kabineti qeveritar”, tha ai.

Në sallë mungonin po ashtu edhe 9 deputetët e Listës Serbe, në shenjë proteste ndaj shkarkimit të Ministrit për Kthim dhe Komunitete, Jabllanoviç.

Top Channel