Arratisja masive e kosovarëve, luftë në mesnatë për të hipur në autobus

05/02/2015 00:00

Frika se mund te humbin autobusin apo do të mbeten pa vend, për pak sa
nuk u shndërrua në tragjedi të mërkurën në mesnatë në stacionin e
Autobusëve në Prishtinë.

Kjo bëri që të rrezikohet edhe jeta e një fëmije, teksa të rriturit po shtynin njeri-tjetrin  me ngut, për të hipur në autobusin e radhës.Në një situatë të tillë tragjike ku mungon rendi, ndodh edhe si në këtë rast, që kameramanët  t’u vijnë në ndihmë njerëzve në situata tragjike.Për të shpëtuar fëmijën ka nxituar kameramani i Top Channel Jeton Sopa, i cili po filmonte ngjarjen.

Numri i madh i kosovarëve që dëshirojnë të ikin nga vendlindja ka shtyrë operatorët e transportit që të shesin bileta përtej kapacitetit, dhe kjo bën që autobusët të stërmbushen, njerëzit të konfliktohen për një ndenjëse dhe që qytetarët të udhëtojnë edhe duke qëndruar në këmbë deri në Beograd.

Pas krijimit të këtij kaosi në stacionin e autobusëve, ka qenë Policia e Kosovës e cila ka ndërhyrë dhe e ka detyruar operatorin transportues që të sjellë edhe një autobus të ri për të dërguar në Serbi të gjithë qytetarët që kishin blerë biletat e udhëtimit për të mërkurën në mbrëmje. Keto pamje përsëriten çdo natë në shi dhe në dëborë, në stacionin e autobusëve, nën sytë e policisë e të dhjetëra qytetarëve të tjerë, të cilët dalin tashmë në stacion si dëshmitarë, për të parë nga afër eksodin e  pazakontë.  

Përveç të rinjve, tani ka nisur edhe largimi i familjeve të mëdha e me fëmijë të vegjël që thonë se për shkak të varfërisë po ikin nga Kosova.

“Arsyet pse po largohemi janë shkaqet ekonomike, papunësia e madhe. Edhe unë dua të shkoj për një jetë më të mirë. Ndoshta ndonjë punësim a diçka tjetër të gjej”, thotë Fahri Bojku.

“Duam të ikim në Gjermani dhe le të dalim ku të dalim. Unë jam me burrë, me katër fëmijë dhe një vëlla. Arsyeja është papunësia, kushtet e rënda. Me një ndihmë sociale nuk jetohet me katër fëmijë e me burrë”, thotë Afërdita Krasniqi.

“Nuk e di absolutisht se ku do të shkojmë. Ndoshta gjejmë një vend. Arsyeja është që nuk ka asgjë këtu”, theksoi Sabri Bungu.
 
Qindra kosovarë vetëm për një ditë janë nisur drejt Serbisë dhe destinacion kryesor thonë se e kanë Gjermaninë. Ata thonë se po ikin nga papunësia dhe nga varfëria e thellë, ndërsa për gjendjen e krijuar fajësojnë Qeverinë e Kosovës.

Top Channel