Kosovë, KOSID: Të anulohet tenderi për “Kosovën e Re”

04/02/2015 00:00

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm kërkon nga organet e drejtësisë të fillojnë hetimet lidhur me tenderin për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, për shkak të hapjes së proçedurave për një kompani të vetme ofertuese, amerikanen “Contour Global”.

“Oferta që është hapur dje nga ofertuesi i vetëm në këtë proces tenderues, “Contour Global”, bie direkt në kundërshtim me ligjin e Republikës së Kosovës për prokurim publik, ku në nenin 32.4 thuhet qartazi se, ‘nëse gjatë zbatimit të proçedurave të prokurimit pranohen më pak se dy tendera, atëherë autoriteti kontraktues duhet ta anulojë aktivitetin e prokurimit’”, deklaroi Kushtrim Puka, nga Forumi për Iniciativë Qytetare.

KOSID ka prezantuar në konferencë për shtyp një  dokument që përmban përmbledhjen e rezultateve të takimeve të Ranjit Lamech, menaxher i sektorit të energjisë për Evropën nga Banka Botërore për këtë çështje.

Lamech i ka shkruar Ellen Goldstein, përfaqësuese e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, dhe Jan-Peter Olters, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën. Në letrën e tijmenaxheri shpejgon takimet në Kosovë më 1 dhe 2 dhjetor, kur është takuar pothuajse me të gjitha palët e përfshira.

Në letrën e bërë publike nga KOSID, Lamech thotë se është takuar me partnerët e rinj të koalicionit qeveritar të Kosovës, PDK dhe LDK dhe në përgjithësi ka vënë re një optimizëm të përmbajtur.

Ndërsa vë në dukje eksperiencen e PDK në këtë drejtim, Lamech thotë se me LDK duhet të punojnë më shumë, sepse nga komentet e tyre ka kuptuar se procesin e mëparshëm nuk e konsideronin transparent për shkak se vendimet ishin marrë në mënyrë të shpejtë nga PDK.

Menaxheri është takuar dhe me Todd Christiansen, shefi i sektorit ekonomik në ambasadën e SHBA në Prishtinë, i cili po punon për mbështetjen politike të projektit në Uashington, nga i cili kishte bindjen që një ofertues amerikan i ul gjasat e kundërshtimeve nga disa fraksione në qeverinë amerikane.

Lamech flet edhe për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, e cila i kishte thënë se nuk ishte ende e gatshme të mbështeste në mënyrë publike projektin “Kosova e Re”.

Top Channel