“Trepça”, deputetët: Ok ndryshimit projektligjit

03/02/2015 00:00

Deputetët e të gjitha partive politike në Kuvendin e Kosovës janë
pajtuar se projektligji për ndërmarrjet publike ku përfshihet edhe
Trepça, duhet të ndryshohet. 

Kjo pasi Neni 11.3 i draftit të ligjit që e ka proceduar Qeveria në Kuvend për miratim, i jep rol vendimmarrës komunave për të vendosur në shndërrimin e një ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje publike.

Ky  nen, i jep të drejtë fjale edhe Komunës së Mitrovicës së veriut që është me shumicë serbe e ku shtrihet gjysma e ndërmarrjes Trepça.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa ka thënë se gjatë amandamentimit të ligjit në Kuvend duhet të bëhen ndryshimet e qarta për të hequr të gjitha dilemat, ndërsa ka thënë se Trepça do të trajtohet edhe me ligj të veçantë.
 
“Në qoftë se e sjellim atë ligj të veçantë për Trepçën, pjesë të tjera normative nuk vlejnë për Trepçën. Ky është interpretimi që unë me përgjegjësi profesionale dhe etike po e them këtu. Prandaj ju lutem që publike të jetë i informuar. Dhe e dyta, sot e pamë edhe gatishërinë që ky Nen 11.3 që ka shkaktuar hutim të madh, edhe ministri edhe të gjithë deputetët u pajtuam që do ta precizojmë në dimensionin që duhet ta kenë komunat”, tha Mustafa.

Deri në arritjen e konsensusit, përfaqsuesit e opozitës dhe pozitës debatuan për Nenin më të diskutueshëm dhe u pajtuan që ta ndryshojnë atë.

“Regjistrimi si ndërmarrje publike, po thotë, bëhet në marrëveshje me komunat në territorin e të cilave ekziston. Pra cilado ndërmarrje publike e cila do të shndërrohet nga shoqërore në publike, në një situatë të veqantë, sepse ky ligj flet për sityuatë të veaqnatë, nuk flet për PTK-në dhe KEK-un sepse ato janë ndërmarrje publike, kjo flet për një situatë të veqantë të ndërmarrjeve shoqërore nën administrim të AKp-së të cilat Qeveria dhe Kuvendi duan t’i shndërrojnë në ndërmarrje publike dhe kur ky vendim merret nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, këto ndërmarrje ose pjesë të ndërmarrjeve nuk mund të regjistrohen nëse nuk ka marrë veshje me komunën në të cilën ndodhet. Ky është realiteti, ta themi qartë”, tha Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

“Sa i përket rolit të komunave, nuk është menduar që të ketë rol kufizues, një rol pengues, është menduar që të ketë një rol bashkëpunues, lehtësues në zhvillimin e projekteve të përbashkëta. Qoftë nga fondet publike të nivelit qendror, lokal apo donatorëve”, theksoi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

 Edhe përfaqësuesi i Listës Serbe në këtë Komision u pajtua që për Trepçën duhet të nxirret ligj i veçantë dhe ai tha se gjatë amandamentimit të ligjit do ti japin sugjerimet e tyre.

Top Channel