Mustafa: Jabllanoviç jashtë kabinetit, Trepça nuk diskutohet

03/02/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka vendosur që ta largojë nga qeveria ministrin serb Aleksandar Jabllanoviç, i cili javë më parë i quajti “egërsira” disa protestues shqiptarë në Gjakovë.

Kreu i qeverisë e bëri publik vendimin e tij për largimin e Jabllanoviç në një konferencë për media, por ku nuk pranoi pyetje nga gazetarët dhe as nuk sqaroi rrethanat e largimit.

“Jemi ballafaquar me kërkesa të protestuesve në dy protestat e kaluara sa i përket Trepçës dhe sa i përket ministrit Jabllanoviç. Unë mund t’ju njoftoj se nga sot ministri Jabllanoviç nuk është pjesë e kabinetit qeveritar”, deklaroi Mustafa.

Vendimin për largimin e ministrit serb, Mustafa e komunikoi pasi bëri një bilanc të ngjarjeve të fundit ku u shkaktuan edhe protesta popullore.

Kryeministri tha se, Kosova po përballet me shumë vështirësi dhe sfida të grumbulluara ndër vite, por sipas tij qeveria aktuale po punon pa ndërprerje që të hartojë politika adekuate për tejkalimin e gjendjes së rëndë në vend.

Ndërsa duke folur për Trepçën, si një kërkesë e dytë e protestave të qytetarëve, Mustafa tha se ajo që ka bërë qeveria dhe Kuvendi për Trepçën ditë më parë është një hap shumë i rëndësishëm për të parandaluar falimentimin e saj.

Mustafa tha se tani qeveria do të punojë për hartimin e strategjisë për Trepçën, si dhe hartimin e ligjit të posaçëm që do të mundësojë shndërrimin e saj në ndërmarrje publike.

Vendimi i Mustafës për largimin e Jabllanoviç ka ngjallur reagimin e ashpër të Listës Serbe, që është dhe partnere e koalicionit qeverisës. Top Channel ka mësuar nga burime brenda qeverisë se Lista Serbe e ka kërcënuar gjatë ditës kryeministrin Mustafa me dalje nga koalicioni.

Por, sipas të njëjtave burime, vendimi për Jabllanoviç është i pakthyeshëm. Ndërkohë, krerët e koalicionit nga PDK dhe LDK po punojnë që Lista Serbe të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë, duke zëvendësuar ministrin e deritanishëm me një ministër tjetër.

Top Channel