Jabllanoviç: Mustafa gaboi. Do konsultohemi për qëndrimin e Listës Serbe

03/02/2015 00:00

Ministri serb i shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, nuk e pranon vendimin që ka marrë kryeministri kosovar, Isa Mustafa, për ta larguar atë nga kabineti qeveritar. Jabllanoviç ka thënë në një intervistë telefonike për Top Channel, se nuk ka dashur të largohet nga Qeveria për shkak të një kërkese të Vetëvendosjes, ndërsa ka paralajmëruar destabilitet brenda kabinetit qeveritar.

TCH: Z. Jabllanoviç, si e pritët vendimin e kryeministrit Isa Mustafa për t’iu larguar juve nga Qeveria?

Ministri i shkarkuar serb, Aleksandar Jabllanoviç: Konsideroj që ky vendim është i gabuar dhe në periudhë afatgjatë nuk mund të ofrojë stabilitet në Qeverinë e Kosovës, mirëpo detajet rreth këtij vendimi i përkasin kryeministrit dhe kjo pyetje do duhej t’i drejtohet atij më parë. Unë nuk kam dëshiruar të jem i shantazhuar nga ana e VV-së dhe të humbas pozitën e ministrit, për arsye se unë kam kryer detyrën duke respektuar ligjin në mënyrën më të mirë të mundshme. Thjesht një lëvizje, siç është ajo e VV-së nuk mund të ndikojë në faktin se, a do të duhej ndonjë ministër i zgjedhur nga populli serb të japë dorëheqje apo jo.

TCH: A do të vazhdojë “Lista Serbe” të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës?

Aleksandar Jabllanoviç: Pas këtij vendimi, të cilin kryeministri e ka bërë publik për mediat, asgjë nuk do të jetë më e njëjtë. Ne kemi pasur një marrëveshje të koalicionit dhe ky veprim i pasdites kërkon, që ne, brenda “Listës Serbe”, të konsultohemi dhe në ditët në vijim të kemi një qëndrim të qartë, sesi do të veprojmë në të ardhmen ndaj Qeverisë aktuale.

TCH: Çfarë pune do të bëni ju tani, si lider i “Listës Serbe”?

Aleksandar Jabllanoviç: Ne jemi njerëz seriozë dhe unë kam përgjegjësi të madhe si udhëheqës i kësaj “Liste”. Vendimet që marrim i përkasin të ardhmes së serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe serbëve të “Listës” brenda Qeverisë, por edhe për të ardhmen e të gjithë qytetarëve. Do të jenë vendime pa emocione dhe do të jemi gjakftohtë, apo siç thotë populli ynë “mëngjesi është më i urtë se mbrëmja”. Do të presim se çfarë do të ndodhë në Prishtinë në ditët në vijim. A do të ketë protesta të Vetëvendosjes apo jo. Si do të jenë këto protesta. Sa i përket “Listës Serbe”, dihet se ne nuk kemi hyrë në Qeveri të qëndrojmë aty për 50 ditë, por për të realizuar qëllimet për qytetarët tanë. Do të shqyrtojmë brenda “Listes Serbe”, a është e mundur që detyra jonë brenda Qeverisë të kryhet më tej. Dhe nëse është e mundur, do të bëjmë përpjekje për të gjetur zgjidhje, por nëse nuk është e mundur, atëherë do të thotë që “Lista Serbe” nuk do të jetë pjesë e Qeverisë. Por për këto gjëra do të bisedohet brenda “Listës” dhe do të informoheni publikisht për hapat e mëtejshëm.

TCH: A mund të ndodhë që ju ta udhëhiqni Asociacionin e Komunave Serbe, që pritet të krijohet?

Aleksandar Jabllanoviç: Ne, gjithsesi, si përfaqësues të “Listës Serbe”, jemi përgjegjës për krijimin e komunave serbe, por formimi i këtyre komunave është përgjegjësi edhe e Qeverisë në Prishtinë, pasi një marrëveshje e tillë është nënshkruar edhe në Bruksel.

Top Channel