Emigracioni i kosovarëve, ulet numri i nxënësve në shkolla

03/02/2015 00:00

Në shkollat e Kosovë po ndjehen pasojat e ikjes masive të qytetarëve
muajt e fundit. Në të gjithë Kosovën janë regjistruar rreth një mijë
nxënës më pak që nga 1 shtatori kur ka filluar vitit shkollor e deri në
fund të muajit dhjetor 2014.

“Në përfundim të gjysmëvjetorit të parë, do të thotë në fund të vitit 2014 nga të dhënat që ne gjithnjë i publikojmë, kemi konstatuar se ka edhe një numër të nxënësve të cilët kanë shkuar jashtë Kosovës dhe për këtë kemi krijuar një rubrikë të veçantë të këtyre nxënësve të cilët ne për momentin nuk mund t’i trajtojmë si braktisës por do të thotë ata janë shkuar jashtë Kosovës që kjo shifër sipas të dhënave në fund të dhjetorit të vitit të kaluar është 1036 nxënës në tërë Kosovën. Këtu prin komuna e Gjilanit, Gjakovës, Ferizajt, që ne si ministri disponojmë me këto të dhëna. Më shqetësuese tek këto të dhëna janë kryesisht nxënësit e klasave të 5-ta dhe të 6-ta, do me thënë numri më i madh i këtyre nxënësve janë nga klasa e 5 dhe 6”, tha Azem Guri, specialist në Ministrinë e Arsimit.

Guri ka shtuar se sipas kontakteve me drejtorë komunal të arsimit dhe drejtor të shkollave, vetëm në muajin janar ky numër gati është dyfishuar, por sipas tij për këtë muaj nuk ka të dhëna të regjistruara zyrtarisht.

Drejtori i shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë, Osman Vitia, thotë se është duke mbajtur evidenca të sakta për numrin e nxënësve që po e braktisin mësimin e të cilët po migrojnë jashtë vendit.

Në shkollën Fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, mësimin po e vijojnë 9 nxënës më pak që nga 1 shtatori, kur edhe ka filluar viti shkollor 2014/15 e të cilët nuk kanë kërkuar as dokumente të fletëkalimit i cili është i nevojshme për të kaluar nga një shkollë në një tjetër.

“Si në çdo shkollë tjetër të Republikës së Kosovës edhe në shkollën tonë po ndihet mungesa e nxënësve sidomos në këta dy muajt e fundit. Ne jemi duke e mbajtur një evidencë shuam të saktë nga të gjithë personeli arsimor për secilin nxënës i cili i bën 3 ditë mosvijim të rregullt të mësimit dhe sipas informacioneve që i kemi edhe nga shokët e lagjes edhe nga shokët e klasave ne në shkollën tonë i kemi të evidentuar 9 nxënës të cilët e kanë braktisur shkollën. Këta janë prej klasë së parë deri në klasën e nëntë dhe sipas informacioneve asnjë prej tyre nuk ka marrë fletë-kalim, dokumentacionin e detyrueshem që e ka të merr nga shkolla por ashtu në mënyrë etilike e kanë ndërprerë mësimin dhe informacionet i kemi që kanë migruar jashtë vendit”, thotë Vitia.

Një mungesë më të theksuar të nxënësve raportohen edhe nga shkolla të tjera dërsa jo pak biznese të vogla e të mëdha kanë mbetur pa punëtorë për shkak të emigrimit në masë.

Top Channel