Ambasada e SHBA: Jo dhunë, duhet qasje konstruktive

03/02/2015 00:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë u ka bërë thirrje partive politike, kryesisht atyre të opozitës, si dhe gjithë qytetarëve që të angazhohen për një protestë paqësore, duke iu referuar asaj të paralajmëruar për mesditën e së mërkurës.

Përmes një komunikate për shtyp, ambasada ka ftuar gjithashtu të gjitha palët për një angazhim më serioz për të ardhmen e Kosovës.

“Qytetarët kanë të drejtë që t’i shprehin kërkesat e tyre qeverisë dhe kjo e fundit e ka për detyrë t’i dëgjojë ato dhe t’u përgjigjet”, thuhet në komunikatë.

“Zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, emigrimi ilegal, sundimi i ligjit dhe marrëdhëniet rajonale e ndëretnike janë çështje serioze e komplekse, të cilat kërkojnë angazhimin e të gjitha palëve për t’u zgjidhur”, vijon deklarata e ambasadës.

Duke kujtuar dhunën në protestat e kaluara, në njoftim vlerësohet se akte të tilla tërheqin vëmendjen nga problemet kritike me të cilat përballet vendi.

“Ndaj, sjella konstruktive dhe paqësore si në institucione ashtu edhe në rrugë është e vetmja mënyrë që Kosova të përparojë”, përfundon njoftimi.

Top Channel