Hungari, ndalohen 250 klandestinë kosovarë

02/02/2015 00:00

Rreth 250 shtetas kosovarë, të cilët kishin hyrë ilegalisht në territorin e Hungarisë përmes Serbisë, janë ndaluar nga autoritetet e këtij vendi.

Sipas raportimeve të “RTK”, klandestinët janë ndaluar në stacionin hekurudhor të qytetit Gior, 115 kilometra larg Budapestit, në kufi me Austrinë, në përpjekje për të arritur Gjermaninë.

Sipas burimit mediatik, pas ndalimit nga policia hungareze, shtetasit kosovarë kanë refuzuar të kthehen në qendrat e azilkërkuesve duke kërcënuar me grevë urie.

Largimi i shtetasve kosovarë nga vendi i tyre për në vendet e BE-së është tejet i madh dhe duket se deklaratat e vazhdueshme të liderëve politikë për të qëndruar në vendin e tyre nuk kanë pasur efekt.

Për të arritur në vendet e Perëndimit ata ndjekin itinerarin Kosovë-Serbi, ku mund të udhëtojnë me autobus dhe të pajisur me letërnjoftime, për të kaluar më pas kufirin me Hungarinë dhe për të vijuar drejt vendeve të tjera.

Fenomeni në fjalë u kthye fundjavën e kaluar në një debat politik, me kryeministrin Mustafa që deklaroi se faji është i Serbisë, e cila po i lejon qytetarët të kalojnë me letërnjoftime kufirin Serbi-Hungari.

Ndaj kësaj deklarate reagoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj që tha se, faji është i kryeministrit Mustafa që nuk mundëson kthimin e emigrantëve në Kosovë.

“Nuk duhet kërkuar faji tek fqinjët. Ndoshta ata e shohin për mirë ikjen e shqiptarëve, por ne duhet ta shohim brenda Kosovës zgjidhjen e problemit. Për më shumë shihemi të mërkurën në shesh”, deklaroi Haradinaj.

Top Channel