Liderët kosovarë, bashkë në homazhe, të ndarë nga “Jabllanoviç”

31/01/2015 00:00

Shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi deklaroi këtë të shtunë se është në autoritetin e plotë të kryeministrit Isa Mustafa të marrë vendim për shkarkimin ose jo të ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç.

Ai këto komente i bëri pas homazheve në shesin Zahir Pajaziti, me rastin e përvjetorit të rënies së tre heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

31 janari, si dita që përkujton rënien e tre ushtarëve të UÇK-së, në fakt bëri bashkë politikanë nga radhët e pozitës dhe opozitës tek shtatorja e Zahir Pajazitit, të cilët i bënë homazhet në të njëjtën kohë.

Por, përtej vlerësimit për rolin e UÇK-së, dallimet mes tyre kur është fjala për aktualitetin politik janë të mëdha. Teksa kryeministri Isa Mustafa dhe kreu i AAK-së nuk u përshëndetën fare, kryetari i Vetëvendosjes paralajmëroi protestë masive dhe paqësore më 4 shkurt.

Nga ana e tij, kryeministri Mustafa shprehu nderimin më të lartë për kontributin e jashtëzakonshëm të heroit Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu.

Ai theksoi se Pajaziti ishte ndër të parët në lëvizjen për çlirimin e Kosovës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe se ishte në sytë e regjimit serb që e vrau në një pritë.

Top Channel