Vetëvendosje: Protesta e ardhshme të mërkurën

29/01/2015 00:00

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka parlajmëruar se protesta e radhës do të mbahet të mërkurën më 4 shkurt, me të njëjtat kërkesa: shkarkimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete Aleksandar Jabllanoviç dhe kthimin në Kuvend të ligjit për ndërmarrjen e Trepçës.

Kurti tha se nuk do të kërkojnë leje për protestë dhe nuk do të lejojnë që Policia e Kosovës të vendosë barrikada në sheshet ku do të mbahet manifestimi.

“Barrierat metalike në sheshin Skëndërbeu shkelin nenin 13 dhe 20 të Deklaratës universale të drejtave të njeriut dhe shkelin nenin 11 të Konventës evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Prandaj, ato barriera metalike ne presim të mos i shohim të mërkurën e 4 shkurtit. Ne nuk mund të lejojmë që të na rrethojnë aty sikur jemi egërsira”, deklaroi Kurti.

Sa i përket deklaratave qeveritare se ndërmarrja e Trepçës nuk do të jetë pjesë e diskutimeve të Brukselit, Kurti e quajti ato një gënjeshtër të radhës nga ana e tyre.

“Besoj se të gjithë e kemi të qartë se për shumë kohë na kanë gënjyer dhe t’u besojmë tani premtimin e ri është çështje e vjetër. Ju e dini se në të kaluarën kanë thënë që nuk bisedojnë për këtë, nuk bisedojnë për atë, kur kishte bisedime teknike thoshin ‘kurrë bisedime politike’, kur erdhën bisedimet politike thoshin ‘asnjëherë dialog për veriun’, por të gjitha ndodhën. Pra, bëhet fjalë për njerëz që kanë mbetur pa fytyrë edhe duke pasur shumë të tilla”, theksoi Kurti.

Ndërsa paralajmërimet se mund të shkarkohet ministri Jabllanoviç, kreu i Vetëvendosjes i vlerësoi si strategji të qeverisë për të zbutur zemërimin e qytetarëve.

“Sa i përket lajmeve të ndryshme që vazhdimisht qarkullojnë se po shkarkohet Jabllanoviç, apo po jep dorëheqjen, unë mendoj se kjo është një luftë speciale e qeverisë, e cila është e interesuar që zemërimi i qytetarëve të zbutet me gënjeshtra gjithmonë të vjetra”, u shpreh Kurti.

Albin Kurti bëri të ditur se në ditët në vijim do të takohen me të gjitha subjektet të cilat shprehin gatishmëri për përkrahjen e protestës së 4 shkurtit.

Top Channel