Mustafa: Nuk lejojmë rrezikimin e shtetit. Protestuesit sulmuan policinë

28/01/2015 00:00

Një ditë pas protestës së opozitës në qendër të Prishtinës, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se nuk do të tolerojë rrezikimin e funksionimit të rendit dhe ligjit nga ata që sipas tij dhunën e kanë mjetin e vetëm të tyre politik.

Në mbledhjen e qeverisë, Mustafa tha se situata e sigurisë është nën kontroll të plotë nga ana e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese.

“Në protestën e djeshme u pa qartë se organizatorët synonin të merrnin pushtetin pa votën e popullit. Institucionet nuk do të tolerojnë rrezikimin e rendit dhe ligjit nga ata që dhunën e kanë të vetmin mjet politik. Qeveria garanton qytetarët se siguria është nën kontroll dhe se institucionet e pavarura dhe kushtetuese nuk do të lejojnë anarkinë dhe destabilizimin”, deklaroi Mustafa.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni kritikoi organizatorët e protestës se nuk kanë kërkuar leje për protestë sipas ligjit. Ai tha se policia ka demonstruar profesionalizëm të lartë, por ishin protestuesit ata që sipas tij u treguan të dhunshëm duke hedhur në drejtim të forcave të rendit mjete vdekjeprurëse.

“Të gjitha mjetet që janë përdorur nga protestuesit kanë qenë potenciale për vdekjeprurëse, pasi kanë qenë tulla të forta betoni dhe objekte të tjera të forta dhe për pasojë dy policë janë lënduar rëndë, njëri prej të cilëve në kokë”, deklaroi Hyseni.

Të dhënat zyrtare nga Qendra Klinike Universitare flasin për të paktën katër persona, tre protestues dhe një pjesëtar të policisë, të lënduar rëndë por jashtë rrezikut për jetën.

Sipas ortopedit kosovar Merkur Dobroshi, njëri nga protestuesit rrezikon t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike pasi ka të thyer kockën e këmbës, ndërsa për tre të tjerët, përfshirë edhe policin, do të vazhdojë trajtimi i zakonshëm.

Sipas zyrtarëve të QKUK, numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është 170, një pjesë prej të cilëve tashmë kanë dalë nga spitali.

Gjatë vizitës të të lënduarve ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili ka thënë se debati për Trepçën dhe për çështjet e tjera duhet të kthehen në Kuvend dhe jo të trajtohen në trazira popullore, ashtu siç duan njerëzit të cilët s’i duan të mirën Kosovës.

Top Channel