Kosovë, ambasadorët takojnë krerët e opozitës

28/01/2015 00:00

Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë kanë vizituar këtë të mërkurë selitë e partive opozitare në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur në një komunikatë për shtyp se ka pritur në takim shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në njoftim bëhet e ditur se në takimin me kryetarin Albin Kurti dhe deputetin Visar Ymeri u diskutua për zhvillimet politike të ditëve të fundit në Kosovë, me theks të veçantë tek protestat.

Krerët e Vetëvendosjes kanë paraqitur qëndrimet se Aleksandar Jabllanoviç duhet shkarkuar për shkak të sulmeve të tij ndaj historisë së Kosovës dhe përse Trepça duhet shndërruar në ndërmarrje publike.

Ndërkaq, selia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është vizituar nga ambasadorja amerikane Tracy Ann Jacobson. Burime të Top Channel brenda AAK-së konfirmuan takimin, por pa dhënë detaje për të.

Më herët kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte postuar një status në Facebook ku thoshte se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.

“Protestat nuk kanë për qëllim dëmtimin e shtetit, por fuqizimin e tij dhe ndërprerjen e fyerjes, nënçmimit dhe shantazhimit të vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe vendit. Ftoj qeverinë që të veprojë konform kërkesave qytetare sa më shpejtë dhe të mos tentojë të zhdukë problemet me aparate policore. Kosova ka përvojë të hidhur me situatat kur problemet provohen të zgjidhen përmes policisë”, shkroi Haradinaj.

Vazhdimin e protestave e ka konfirmuar edhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti në një konferencë për shtyp. “Nëse nuk shkarkohet Jabllanoviç dhe nëse nuk mbrohet Trepca, protestat vazhdojnë. Por problem themelor do të jetë që shprehja “Republika e Kosovës” të mos mbetet fjalë goje. Ndaj ne jemi këtu në mbrojtje të diçkaje që është shumë më e thellë dhe shumë më e gjerë se sa politika ditore”, deklaroi Kurti.

Kurti shtoi se protesta do të jetë vazhdim i të gjitha protestave të janarit, ndërsa cilësoi si “brutal e mizor” reagimin e forcave policore dhe “mendësi të shtetit policor” deklaratat e zyrtarëve të qeverisë.

Ndërsa sekretari i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, i pyetur lidhur me ultimatumin prej 15 minutash dhënë policisë së Kosovës për heqjen e barikadave, tha se ajo ishte një thirrje politike në kuptimin që të mos rrethohen sheshet dhe se nga ana e Vetëvendosjes nuk ka pasur plan për dhunë.

“Thirrja jonë për largimin e barrikadave ishte edhe thirrje politike në kuptimin e zgjerimit të sheshit, sepse sheshi është i joni, por edhe në rrafshin e asaj që thamë edhe dje: ne nuk kemi nevojë të rrethohemi, ne jemi qytetarë e jo egërsira. Egërsirat mund të rrethohen, jo qytetarët”, tha Molliqaj.

Ndërkohë që po zhvillohej konferenca, Molliqaj u informua se Policia e Kosovës kishte filluar bastisjet në shtëpitë e aktivistëve në Pejë, ku edhe është arrestuar një prej tyre.

Top Channel