Bilanci i protestës sipas QKUK: 170 të plagosur, mes të cilëve 107 policë

28/01/2015 00:00

Shërbimi Emergjent në Klinikën Universitare të Kosovës ka pranuar të martën 170 persona, që kishin mbetur të lënduar nga protesta e zhvilluar nëpër sheshet dhe rrugët e Prishtinës.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi, që ka lëshuar të mërkurën zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Në tërësi, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 170 persona, prej tyre 107 policë, 53 protestues dhe 10 qytetarë të vetëdeklaruar”, thuhet në këtë njoftim.

Gjithashtu thuhet se stafi mjekësor i Shërbimit Klinik Emergjent dhe të gjitha klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë qenë në gatishmëri të plotë, për të trajtuar të gjitha rastet, të cilat kërkuan ndihmë mjekësore në këto klinika.

QKUK thekson se furnizimi me barna dhe materiale shpenzuese ka qenë i plotë, po ashtu të gjitha kapacitetet e degëve diagnostikuese kanë qenë në funksion të plotë, duke kryer radiografitë e nevojshme, CT, e deri te rezonanca magnetike.

QKUK, duke parë gjendjen në kryeqytet dhe numrin e të lënduarve, të martën formoi edhe Shtabin Emergjent për menaxhimin e situatës.

Top Channel