Kosova në protestë: Jabllanoviç jashtë. Trepça është e jona

24/01/2015 00:00

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka dhënë 48 orë afat kryeministrit Isa Mustafa për shkarkimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete Aleksandar Jabllanoviç dhe kthimin në Kuvend të ligjit që e bën kombinatin “Trepça” ndërmarrje publike.

Këtë ultimatum Kurti e bëri para dhjetëra mijëra qytetarëve të ardhur nga e gjithë Kosova, të cilët protestuan para selisë së Kryeministrisë në Prishtinë.

“Ne sot, nga ky vend, i japim ultimatum qeverisë 48 orë që ta shkarkojë Aleksandër Jabllanoviç. Pra, deri të hënën në orën 16:00, Isa Mustafa ka afat ta shkarkojë atë dhe të sjellë në Parlament ligjin për Trepçën që e kthen atë në ndërmarrje publike”, deklaroi Kurti.

Fjalimit të Kurtit i parapriu fjalimi i Nysrete Kumnovës nga shoqata “Thirrjet e Nënave”. E ndërkohë që Kumnova fliste, një grup protestuesish hodhën gurët e parë në drejtim të Kryeministrisë, duke thyer xhamat e kateve të para të ndërtesës.

“Kosova është e shqiptarëve! Kosova është e jona! Turp për gjithë qeverinë që një pas një na lënduan ne nënat, pasi na pritën në mijëra takime. S’na duhet të shohim fytyrat e tyre, por duam të dashurit tanë të na kthehen”, tha Komanova.

Për shkak të ofendimeve të ministrit serb ndaj nënave të Gjakovës, në Prishtinë kishte nisur edhe një marsh protestues i qytetarëve, familjarë të të pagjeturve, me të cilët u bashkuan kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, deputetë të Parlamentit, përfaqësues të shoqërisë civile, organizata të ndryshme joqeveritare dhe grupe tifozerish.

Edhe pse këta të fundit nuk folën në tubim, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili u pa të largohej para se të përfundonte protesta, e tha mendimin e tij me një status në Facebook, ku shkroi: “Pakënaqësia po rritet. Populli po bashkohet. Qeveria ka mbetur pakicë dhe duhet ta kuptojë që pushteti nuk është i individëve, por i popullit”.

Kërkesa për shkarkimin e Aleksandar Jabllanoviç dhe mbrojtja e kombinatit Trepça, për herë të parë pas luftës në Kosovë, bëri bashkë një numër kaq të madh protestuesish.

Në duar ata mbanin pankarta me mbishkrimet “Jabllanovic jashtë”, “Trepça është e Kosovës”, “Mustafa argat i Serbisë”, etj. Albin Kurti paralajmëroi protestë të ngjashme për ditën e martë, në rast se kryeministri Isa Mustafa nuk merr parasysh kërkesat e tyre.

Ndërsa në momentin kur lëvizja Vetëvendosje bëri thirrje për përfundimin e protestës, një grup të rinjsh vazhdoi hedhjen e gurëve në drejtim të Kryeministrisë, duke bërë kështu që të përshkallëzohej situata, për çka u desh edhe ndërhyrja e njesisë speciale të Policisë së Kosovës.

Top Channel