Mustafa: Grevat dhe protestat nuk janë zgjidhje

23/01/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, përmes një postimi në rrjetin social Facebook është shprehur se vlerëson të drejtën për protesta, greva e forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë, por kjo sipas tij nuk sjell zgjidhjen e problemeve.

Në profilin e tij, Mustafa ka komentuar edhe vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, që krijon kushtet që ndërmarrja e Trepçës të kalojë në likuidim duke filluar nga data dy shkurt.

“Për këtë rrezik nuk isha informuar as nga AKP, as nga drejtoria e Trepçës dhe as nga njerëzit që kanë qenë përgjegjës për këtë në përbërjen e qeverisë së kaluar. Tani po i shoh në media me deklarata populiste dhe me zgjidhje imagjinare”, ka shkruar Mustafa.

Lidhur me protestat kundër ministrit serb për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviç, Mustafa ka vlerësuar se fjalori i përdorur është i kritikueshëm, për të mos thënë i papranueshëm.

“Pa marrë parasysh se për kë mendon, është e papranueshme t’i quash njerëzit egërsira, por është po ashtu e papranueshme të quash dikë fashist, kriminel, vrasës apo t’i drejtosh gishtin në Kuvend duke i thënë se, ti duhet të shkosh në burg. Për të thënë këto, kushdo duhet të ketë argumente dhe fakte”, ka thënë Mustafa.

Shefi i qeverisë ka hedhur akuza se rasti i familjarëve të të pagjeturve dhe minatorëve janë përdorur për të mbuluar aferat e paqarta që po bëhen sipas tij me pasuritë e Trepçës.

Në fund të mesazhit të tij, Mustafa ka theksuar se, “është detyra e tij të mbrojë vendin nga rreziku”, gjë të cilën e ka thënë edhe në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës.

Top Channel