Festimet për 7-vjetorin e Pavarësisë nisin me nismën “#instakosova”

23/01/2015 00:00

Ministria e Jashtme fillon festimet e ditëlindjes së shtatë të Kosovës, me garën e fotografive më të mira nëpër rrjetet sociale nga vetë kosovarët. Fotot më të mira dalin në një libër, ndërsa fituesi i fotos më të mirë fiton 500 euro.

Shumë qytetarë kosovarë publikojnë foto të bukura të Kosovës duke përdorur “hashtag”-ët #instakosova, #instakosovo dhe #mfakosova.

Në vitin 2013, MPJ e Kosovës ka organizuar një konkurs me ndihmën e Ambasadës norvegjeze dhe “British Council”, duke aktivizuar rreth 11,000 postime fotografish në të gjitha rrjetet sociale, duke ofruar kështu material fantastik për librin e parë festiv të Kosovës, të titulluar #instakosova.

Edhe sivjet po organizohet një garë kombëtare me “hashtag”-ët #Instakosova dhe #InstaKosovo, dhe ftohen të gjithë të jenë aktivë dhe të postojnë fotografi që reflektojnë mbi kulturën, arkitekturën, urbanizmin, natyrën, shoqërinë, jetën e natës, rininë dhe të jetuarit në Kosovë.

Materiali i mbledhur nga këto “hashtag”-ë vlerësohet nga një juri prej 5 anëtarësh, që përbëhet nga: Blerim Racaj (fotograf), Nita Salihu (dizajnere), Blerta Kambo (fotografe), Arjeta Emra (drejtoreshë e British Council) dhe Era Istrefi (këngëtare).

Fotografia më e mirë shpërblehet me 500 euro, kurse 10 fotot më të mira me nga 100 Euro. Gara përfundon më 3 shkurt 2015. Ndërkohë, kjo juri do të përzgjedhë rreth 100 foto, të cilat do të publikohen në një libër fotografish, duke shënuar kështu edicionin e dytë të këtij publikimi dhe duke festuar po ashtu Pavarësinë e Kosovës.

Ky libër do të ndahet falas në institucione të ndryshme shtetërore, kudo nëpër botë dhe hapësira të ndryshme të artit e kulturës. Sivjet #instakosova do të lançojë edhe faqen e internetit, një rast i mirë ky për të rritur mundësitë për të publikuar edhe video, gjithmonë nën të njëjtin “hashtag” #instakosova.

Publikimi i parë #instakosova ka nxjerrë si fitues fotografët Arben Llapashtica, Beni Cufi, Besnik Hasanaj, Fisnik Dobreci e Shkëlzen Rexha, dhe është vlerësuar si publikimi më autentik i shtetit të Kosovës për audiencën e vendit dhe atë ndërkombëtare. Ky libër ka fituar edhe çmim për projektin më të mirë të diplomacisë dixhitale në disa publikime ndërkombëtare.

Top Channel