Visar Ymeri, kandidat për kryetar të Vetëvendosjes

21/01/2015 00:00

Kandidati për Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje është Visar Ymeri.

Në mesditë përfundoi afati i dorëzimit të kandidaturave për kryetar të Lëvizjes. Me përfundimin e këtij afati, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) i Lëvizjes Vetëvendosje ka konstatuar se është dorëzuar vetëm një deklaratë për kandidaturë, ajo e deputetit të Lëvizjes, Visar Ymeri.

Në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme të Lëvizjes, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm e ka shpallur të mbyllur procesin e pranimit të deklaratave të kandidaturave për kryetar, dhe konstaton se kandidati për kryetar, Visar Ymeri, duke qenë edhe kandidatura e vetme, do të jetë kandidati i vetëm që do të vazhdojë procesin e brendshëm zgjedhor.

Në ditët në vijim, KZP-ja do të njoftojë lidhur me afatet e tjera kohore sa i përket fushatës së kandidatit për zgjedhjet e brendshme, si dhe në lidhje me ditën e votimit kur anëtarësia do të ketë të drejtën të votojë për, kundër, ose abstenim, sipas parimit një anëtar – një votë.

Ndërkohë në një letër të hapur, drejtuar aktivisteve te levizjes dhe qytetareve, Kurti sqaron mos kandidimin ne zgjedhjet e brendshme partiale per kryetar.

“Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që përfundoi me 11 janar 2015, morëm vendimin që ta vazhdojmë edhe për një vit ristrukturimin nëpër Qendrat tona. Po ashtu, thamë që unë do të kthehem në bazë sepse aty nevojitem më së shumti në një kohë kur Kosovës i nevojitet më së shumti vetëvendosja. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo për organizatën tonë. Mirëpo, që të bëhet e mundur një gjë e tillë, kam vlerësuar që nuk duhet të jem kryetar edhe këtë mandat. Thjesht, është e pamundur të punoj në bazë, me Qendrat e Pikat tona, me aktivistët që edhe e përbëjnë organizatën politike edhe e bëjnë një komunitet njerëzish, nëse në të njëjtën kohë jam edhe kryetar që duhet ta drejtoj e udhëheq të gjithë Lëvizjen. Nga menaxhimi prej lart duhet të kthehem te puna poshtë në mënyrë që ta lartësoj organizimin. Me fjalë të tjera, duhet zvogëluar aspekti reprezentativ për ta rritur atë organizativ”, sqaron Kurti.

Top Channel