Vetëvendosje, Albin Kurti braktis postin e kryetarit

21/01/2015 00:00

Pas dhjetë vitesh në krye të Vetëvendosjes, Albin Kurti tërhiqet nga udhëhehqja e lëvizjes, pasi nuk do të kandidojë më për kryetar të saj edhe për një mandat, në zgjedhjet e brendshme që tashmë kanë marrë udhë.

Arsyet për këtë i ka dhënë vetë Kurti nëpërmjet një letre publike, ku thotë se do të kthehet në bazë sepse aty nevojitet më së shumti, në një kohë kur Kosovës sipas tij i duhet më shumë Vetëvendosje.

“Thjesht është e pamundur të punoj në bazë, me qendrat e pikat tona, me aktivistët që dhe përbëjnë organizatën politike dhe e bëjnë atë një komunitet njerëzish, nëse në të njëjtën kohë jam edhe kryetar që duhet ta drejtoj e udhëheq të gjithë lëvizjen. Nga menaxhimi nga lart duhet të kthehem te puna poshtë, në mënyrë që ta lartësoj organizimin. Me fjalë të tjera, duhet zvogëluar aspekti përfaqësues për të rritur atë organizativ”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kurti vlerëson se si në aspektin politik e institucional, ashtu edhe në atë ekonomik dhe shoqëror Kosova kurrë nuk ka qenë më keq. Nga ana tjetër, sipas tij, lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk ka pasur më shumë simpati e vota në popull se sa në këtë kohë.

“Mirëpo, këtij aprovimi popullor që e gëzojmë kudo në Kosovë nuk i korrespodon një organizatë me struktura të fuqishme e rrjet të gjerë të aktivistëve dhe anëtarëve. Për pasojë, miratimi që koncepti, qëndrimet dhe aktivitetet tona hasin te qytetarët nuk po shoqërohet me përkrahje aktive e me angazhim konkret të tyre. Sot nuk na nevojiten ide e program i ri, por një organizatë e re, që dëshirat i bën vullnet, ankesat i bën kritikë dhe zemërimin e bën aksion”, vijon letra e tij.

Nga ana tjetër, lëvizja Vetëvenodsje njoftoi se kandidati i vetëm për kryetar është shefi i grupit parlamentar Visar Ymeri. Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm e ka shpallur të mbyllur procesin e pranimit të deklaratave të kandidaturave për kryetar, thuhet në njoftimin për media. Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Kurtit sërish në pozitën e kryetarit, por as nuk e ka përjashtuar atë.

Bazuar në statusin e lëvizjes Vetëvendosje kryetari është përfaqësuesi më i lartë politik, por si i tillë ka të drejtë të zgjidhet vetëm dy herë. Albin Kurti ka qenë për një mandat kryetar i Vetëvendosjes dhe tashmë i mbetet që mandatin e dytë ta shfrytëzojë në një periudhë të mëvonshme.

Top Channel