Mustafa: Greva e minatorëve e paarsyeshme

21/01/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e konsideron të paarsyeshme mbajtjen e grevës së minatorëve të Trepçës, pasi sipas tij, zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon kohë.

“Ne konsiderojmë se nuk ka arsye që të mbahet grevë në minierën e Trepçës, pasi punëtorët janë të sigurt. Vetë Trepça është e sigurt, por kjo është një çështje që nuk mund të zgjidhet për një, dy apo tre ditë”, ka deklaruar Mustafa.

I cituar nga Radio Europa e Lirë, Mustafa ka thënë se mbrëmjen e së martës ka biseduar me drejtuesit e ndërmarrjes, të cilëve u ka sugjeruar që të vazhdojnë punën.

“Nuk shoh asnjë arsye pse minatorët duhet të qëndrojnë nën tokë, sepse problemi do të zgjidhet. Por ai mund të zgjidhet vetëm në rrugë normale, me një proçedurë normale dhe me kohën e duhur”, ka thënë Mustafa.

Më herët, përmes një postimi në Facebook, kryeministri sqaroi se, ishte qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që shpëtuan Trepçën nga falimentimi, ndërsa fajësoi homologun serb Aleksandar Vuçiç për situatën e krijuar pas miratimit të ligjeve për ndërarrjet publike.

“Vuçiç krizën ekonomike në Serbi po tenton ta bartë në Kosovë dhe për fat të keq, në opinionin publik ka efekt më shumë ajo që thotë ai sesa mënyra se si po veprojmë ne në vendin tonë dhe për pronat tona”, tha Mustafa.

Ai vlerësoi se, shefi i qeverisë serbe mund të thotë se të gjitha ndërmarrjet janë të tij, por kjo sipas tij ka si qëllim vetëm mashtrimin e qytetarëve serbë, “pasi të gjitha ato janë tonat dhe s’ka pse brengoset askush”.

Mustafa sqaroi më tej se vendimin, i cili krijoi kushte që Trepça të ballafaqohet me falimentim nga data 2 shkurt, nuk e imponoi Serbia, por Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, autoritetet vendore dhe ndërkombëtarët.

Top Channel