Greva në Trepçë, minatorët 750 metra nën tokë

21/01/2015 00:00

Qindra minatorë të minierës së Trepçës janë ngujuar 750 metra nën tokë dhe po mbrojnë me fanatizëm kombinatin më të madh metalurgjik që ka Kosova. Ata nuk duan që Trepça të bëhet pjesë e negociatave, përkundrazi, dëshirojnë që kjo pasuri kombëtare t’i mbetet Kosovës.

Kushtet e minatorëve në grevë janë minimale dhe të rrezikshme për shëndetin e tyre, pasi sipas mjekëve, aty mungon ajri dhe drita e cila po ndikon në shikimin e tyre.

“Jemi brenda prej 2-3 ditësh. Qëllimi ynë është për të miratuar vendimin në qeverinë e Kosovës”, thotë një prej tyre.

“Ne jemi në vendin më të pasur në Ballkan, përse të mos e aktivizojmë minierën, të ngremë shtetin? Por këta janë në gjumë”, shprehet një tjetër.

“Vetëm një kërkesë është, të tjera nuk ka. Që Trepça të mbetet në qeveri. Pa e aprovuar, kot e kanë”, paralajmëron një kolegu i tyre.

“Më ka dhembur trupi kur i kam parë minatorët të dilnin kundër qeverisë sonë. S’e kisha menduar kurrë këtë. Trepça është e jona”, vijon një tjetër.

Minatorëve grevistë u janë bashkuar edhe pensionistë të kësaj miniere, të cilët në shenjë solidariteti janë ngujuar nëntokë duke kërkuar nga qeveria të marrë nën menaxhim Trepçën.

“Pasuria jonë kombëtare nuk duhet të vihet në dyshim. Kjo është pasuri e jona, e gjithë popullit të Kosovës”, shprehet një minator.

Edhe pse në kushte shumë të rënda, me mungesë drite e ajri, minatorët janë të vendosur të qëndrojnë në grevë derisa qeveria dhe Kuvendi të garantojnë se do të nxjerrin ligjin i cili do ta bëjë Trepçën kompani publike, nën menaxhimin e shtetit kosovar.

Minatorët grevistë janë të bindur se nëse shteti investon në Trepçë, kjo minierë mund të kthehet në vitet e saj të arta kur punësonte mbi 20 mijë punëtorë.

Mustafa: Minatorët të kenë besim të plotë

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa bëri këtë koment lidhur me grevën e minatorëve: “Konsideroj se askush nuk duhet të brengoset më, sepse kemi tejkaluar një moment i cili do të ishte moment i krizës për Trepçën. Mbetet të punohet me qetësi dhe të kemi para vetes të gjitha llogaritë dhe të gjitha pretendimet e borxhlive dhe që Trepça të punojë normalisht”.

“Duhet të keni besim të plotë se ne do të qëndrojmë para zotimeve tona dhe çështjen e Trepçës do ta zgjidhim në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne kosniderojmë se nuk ka asnjë arsye që të bëhet grevë në Trepçë, sepse punëtorët janë të sigurt. Trepça është e sigurt, por kjo çështje nuk mund të zgjidhet për një, dy apo tri ditë. Duhet kohë që të zgjidhet situata”, tha Mustafa.

Top Channel