Trepçë, minatorët ngujohen nëntokë, kërkojnë shpjegime nga qeveria për fatin e kompleksit

20/01/2015 00:00

Rreth 250 minatorë të Trepçës, në Stan Tërg të Mitrovicës, janë mbyllur të martën në mëngjes në horizontin e dhjetë të minierës, që ndodhet 650 metra nëntokë dhe kanë ndaluar punën, ndërsa pasdite atyre u janë bashkuar edhe shumë kolegë të tjerë nga turni i dytë, si dhe 130 minatorë nga flotacioni i Kishnicës në Artanë.

Minatoret kërkojnë nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi, që të nxjerrin brenda 24 orëve ligjin për Trepçën, i cili do të mundësonte që ky gjigant metalurgjik të bëhej kompani publike. Sipas menaxherit të Trepçës, Ahmet Tmava, minatorët nuk do të dalin nga greva pa marrë garanci nga përfaqësuesit e qeverisë, që kjo do të ndodhë.

“Është formuar një këshill grevist dhe tubimi i punëtorëve në horizontin e dhjetë del me një kërkesë, e cila iu drejtohet përfaqësuesve të institucioneve qendrore, e të cilëve iu kërkohet ardhja dhe dhënia e garancisë për implementimin e ligjit për Trepçën. Për këtë shkak, ne kërkojmë nga institucionet ta bëjnë sa më shpejt, pasi dje nuk është kryer e gjithë puna, dhe ajo që ka mbetur të kryhet sa më shpejt”, tha Ahmet Tmava, menaxher i Trepçës.

“Ne kërkojmë që të sjellin sa më shpejt vendimin për Trepçën, për ta bërë pronë të shtetit”, tha Hashim Bejtullahu, minator në pension.

Minatorët grevistë, të martën i kanë vizituar edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe deputetë nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët – për shkak se janë penguar për disa orë të hyjnë në minierë – kanë debatuar me drejtuesit menaxherialë të ndërmarrjes.

Ndërsa në Prishtinë, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi kanë thënë se Trepça do të jetë në fokus të punës së tyre.

Përmes një deklarate për media, Qeveria ka sqaruar se, ndryshimet e bëra një ditë më parë në legjislacion kanë krijuar kushte për funksionimin normal të “Trepçës”, duke evituar fillimin e procedurave për falimentimin e saj. Ndërsa zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka thënë se, për Trepçën nuk do të negociohet askund, përveç se në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel