Kosovë, ish-kryeparlamentari Krasniqi dorëzon mandatin e deputetit

20/01/2015 00:00

Ish-kryeparlamentari kosovar Jakup Krasniqi është tërhequr nga mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës. Lajmin e bëri të ditur vetë Krasniqi, nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook.

“Tërhiqem nga deputeti i Kuvendit për t’i liruar vendin një deputeti tjetër”, shkruan ai, pa treguar arsyet që çuan drejt këtij vendimi.

“Përveç motivit të përgjithshëm për t’u marrë me politikë, për të kontribuar për vendin me përvojën e fituar ndër vite, mbetja në politikë apo ambicie politike për motive personale nuk kam, pasi në këtë plan kam realizuar më shumë se sa kam synuar”, thuhet në postimin e ish-kryeparlamentarit kosovar.

Krasniqi, i cili tashmë është pjesë e strukturave udhëheqëse të subjektit “Nisma për Kosovën”, thotë se përvojën e tij politike nuk do të ngurrojë ta vendosë në shërbim të qytetarëve dhe subjektit politik ku aderon. Në vend të zotit Krasniqi, deputet do të bëhet Enver Hoti, i cili në zgjedhjet e 8 qershorit ka marrë 3634 vota gjithsej.

Top Channel