Privatizimi i Trepçës, tërhiqet qeveria. Ndërhyrje nga ambasada e SHBA

19/01/2015 00:00

Gjiganti metalurgjik “Trepca” sërish mbetet nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në projektligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasuritë e tyre, sipas të cilit AKP-së i jepet kohë shtesë për përgatitjen e planit për riorganizimin e “Trepçës”.
 
Burime zyrtare thanë për Top Channel, në kushte anonimiteti, se ka qenë ambasada amerikane, e cila e ka parandaluar shtetëzimin e “Trepçës” dhe jo qeveria e Serbisë.

Kjo pasi, sipas burimeve, procesi i shtetëzimit nuk përkon me programet qeveritare të dy partive të djathta PDK-së dhe LDK-së që qeverisin Kosovën. Po kështu amerikanët e kanë vlerësuar si të dëmshëm që qeveria t’i marrë përsipër borxhet e pretenduara nga kreditorët që kalojnë shifrën 1 miliardë euro. Sidoqoftë, zyrtarisht kjo çështje në kuvend nuk u sqarua. Kryeministri Mustafa tha se me ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara po parandalohet likuidimi i Trepçës.

“Me këtë ligj krijohen kushtet që ne ta mundësojmë fillimin e procesit dhe marrjen e procesit për likuidim të “Trepçës”. Ne japim një afat gati 1 vit e gjysmë për mundësinë e ofrimit të planit për menaxhim të “Trepçës” dhe po ashtu jepet edhe një afat shtesë me të cilin AKP mund të kërkojë nga Dhoma e veçantë e Gjykatës Supreme për zgjatjen e afatit për dorëzimin e planit të riorganizimit”, ka deklaruar Mustafa.

Tërheqja e qeverisë së Kosovës nga ndryshimi i pronësisë së “Trepçës” shkaktoi përplasje të forta mes pozitës dhe opozitës gjatë seancës në kuvend. Deputetët e opozitës nuk i përkrahën ndryshimet në ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara. Dhe duke qenë se gjithçka ndodhi në procedurë të përshpejtuar, opozita kundërshtoi votimin për shmangie nga rregullorja e punës me argumentin se votimi nuk kaloi dhe si i tillë po kontrabandohet.

“Rëndësinë dhe kompleksitetin e “Trepçës”, mendja na e thotë se ju nuk e dini se çfarë është qeverisja, nuk e dini se çfarë është politika e as ekonomia, nuk e dini ç’ka është e si menaxhohet pasuria kombëtare. Prandaj ose jeni të frikësuar nga dikush apo jeni të shantazhuar nga dikush, cila do të jetë arsyeja vendi në këtë mënyrë nuk mund dhe nuk duhet të qeveriset”, është shprehur Jakup Krasniqi, deputet i NISMA-s.
 
Kryetari i Kuvendit të Kosovës urdhëroi përsëritjen e procedurës së votimit, por një veprim i tillë ngjalli edhe më shumë pakënaqësi te opozita, e cila e quajti antikushtetuese dhe si i tillë duhet të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne kemi insistuar që sot të diskutojmë ashtu siç ishim marrë vesh javën e kaluar, për plotësimin e ligjit për ndërmarrjet publike, përmes të cilit “Trepça” do të shndërrohej në ndërmarrje publike. Kjo ka qenë e vërteta institucionale deri dje, kur pa pritur qeveria e Kosovës mori një kthesë të madhe për t’u tërhequr nga ai ligj, pas kërcënimeve që erdhën nga Serbia. Konsiderojmë që kjo mënyrë e trajtimit të çështjes së “Trepçës” edhe pse formalisht mund të duket në rregull, realisht ka shumë të panjohura dhe rreziqe”, tha Visar Ymeri, deputet i lëvizjes Vetëvendosje.

Kuvendi i Kosovës do ta shqyrtojë të martën projektligjin tjetër, atë për ndryshimin e ndërmarrjeve publike, por e ardhmja e “Trepçës do të përcaktohet me një ligj dhe strategji të veçantë.

Top Channel