Kuvendi rinis punimet, Meta: Prioritet reforma në drejtësi

19/01/2015 00:00

Në nisje të sesionit të ri parlamentar, kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaroi se prioritet është reforma në drejtësi.

“Thelbësore mbetet realizimi i reformës në drejtësi. Komisioni i posaçëm, përveç se një instrument parlamentar në kuadrin e ligjvënies, duhet të jetë shprehje e përgjegjësisë dhe e vullnetit tonë për ndryshim ndaj opinionit publik shqiptar, institucioneve të sistemit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Gjatë këtij sesioni ne do të synojmë përsosjen e funksionimit transparent dhe demokratik të Kuvendit, duke mbështetur e promovuar dialogun mes mazhorancës dhe opozitës”, deklaroi Meta.

Në seancë u miratua vetëm kalendari trejavor i punimeve të Kuvendit, plotësimi i komisioneve hetimore me deputetët e opozitës, si dhe lëvizjet e deputetëve brenda komisioneve.

Punimet e kësaj seance kanë respektuar rregulloren e Kuvendit, duke mos dalë jashtë axhendës së ditës së parë të hapjes së sesionit, proçedurë që është respektuar edhe nga opozita, nga radhët e të cilës nuk është kërkuar të mbahet ndonjë diskutim apo fjalim.

Por një seri akuzash të bëra ndaj qeverisë nga ish-kryeministri Berisha jashtë sallës së Parlamentit duket se janë një paralajmërim se seanca e së enjtes nuk do jetë kaq e shkurtër dhe aq më pak kaq e qetë.

“Seancë e bazuar në mekanizmin e heshtjes për shkak të alergjisë, frikës dhe neverisë që ka mazhoranca nga fjala e lirë dhe parlamentarizmi. Shqipëria u bë e famshme si Kolumbi e Evropës. Sot, kur në dy ditë tre makina hidhen në erë në shtetin me mazhorancën e tritolit, mazhoranca nuk mund të flasë”, deklaroi Berisha.

Top Channel