Jabllanoviç kërkon falje: Nëse ju kam fyer, më vjen keq

19/01/2015 00:00

Lideri i Listës Serbe në Kosovë, Aleksandar Jabllanoviç ka vendosur të kërkojë falje për deklaratën e tij të para disa javëve, kur i quajti “egërsira” disa protestues në Gjakovë që po gjuanin me gurë ministrat serbë që donin të vizitonin Gjakovën.

Pas akuzave se ministri serb në qeverinë e Kosovës kishte etiketuar si të tilla, nënat që humbën bijtë e tyre gjatë luftës, Jabllanoviç zgjodhi një ditë të mbushur me zhvillime rreth kombinatit Trepça për të kërkuar falje.

“Shfrytëzoj rastin që si ministër i qeverisë t’iu kërkoj falje të gjitha grave që kanë humbur të dashurit e tyre në luftën e viteve 1998-1999. Nuk dëshiroj që një deklaratë e imja, e cila nuk iu atribuua atyre, të shkaktojë protesta e pakënaqësi. Asnjëherë nuk pata qëllim të lëndoj ato gra. Nëse janë ndierë të fyera, atëherë më vjen keq”, ka deklaruar Jabllanoviç.

Apologjia e Jabllanoviç ka ardhur pas disa protestave të qytetarëve të Gjakovës, të cilët kërkonin edhe largimin e tij nga qeveria.

Top Channel