Thaçi në Ulqin: Shqiptarë, mos shisni pronat

17/01/2015 00:00

Qindra shqiptarë të Ulqinit në Mal të Zi e kanë pritur para komunës
zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës,
Hashim Thaçin.

Protestat e serbëve dhe malazezëve në Podgoricë kundër vizitës së Thaçit, i mobilizuan edhe më shumë shqiptarët për të dalë në pritje të kryediplomatit kosovar.

Kureshtja për të u zgjua edhe për faktin e udhëtimit me helikopter për shkak të ngritjes së nivelit të sigurisë.

Gjatë qëndrimit në Ulqin, Thaçi është ndalur tek memoriali i të dëbuarve nga lufta e Kosovës më 1999, ku ka vendosur një kurorë me lule, ndërsa i ka falënderuar shqiptarët për mikpritjen e refugjatëve gjatë luftës.

Më pas, shefi i diplomacisë kosovare ka takuar përfaqësuesit shqiptarë në Ulqin me të cilët ka diskutuar për avancimin e pozitës politike të shqiptarëve në Mal të Zi.

Me këtë rast Thaçi i ka ftuar shqiptarët në Mal të Zi që të jenë më të bashkuar dhe mos t’i shesin pronat e tyre, por të fuqizohen edhe më tej, duke garantuar se do të kenë mbështetjen edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë.

“Mesazhi im për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Mal të Zi është që ata të rrinë në shtëpitë e tyre, në vendlindjen e tyre. Në kuptimin politik nëse më pyesni, mesazhi im është që le ta ruajnë dhe kultivojnë unitetin. Shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi janë një urë lidhëse mes shtetit të  Kosovës dhe Malit të Zi, por gjithashtu edhe Shqipërisë”, u shpreh Thaçi.
 
Zëvendëskryeministri i ka porositur përfaqësuesit politikë shqiptarë që të punojnë më shumë për të hapur Universitet në Ulqin, derisa nga kryetari i kësaj komune Fatmir Xheka ka marrë kërkesë për ndihmë që edhe shqiptarët e Malit të ZI të kenë Abetaren e unifikuar me shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë.

 “Ne ende sot dallohemi nga shqiptarët e tjerë kudo që janë. Ne ende nuk e kemi futur në programin e punës tek fillestarët Abetarët mbarëkombëtare. Për këtë kemi ftuar për një përkrahje të madhe për ta futur këtë abetare mësimore nga viti i ardhshëm shkollor”,u shpreh Xheka.   

Vizita e parë e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi në Mal të Zi ka kaluar pa ndonjë incident, siç ishin paralajmëruar, derisa për sigurinë e tij Podgorica zyrtare kishte angazhuar qindra pjesëtarë të policisë.
 

Top Channel