Mustafa: Jo komplekse për deklaratat e Vuçiç

16/01/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar të premten vizitën e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç në Kosovë, ndërsa ka dhënë edhe disa porosi për protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e zv.kryeministrit serb Aleksandar Jabllanoviç, i cili ditë më parë i quajti “egërsira” familjarët e personave të zhdukur në Gjakovë.

“Ne nuk mund ta zhvillojmë këtë vend përmes urrejtjes. Ne këtë vend duhet ta zhvillojmë përmes krijimit të urave të paqes, bashkëpunimit dhe jo përmes armiqësive. Dhe unë i kam lutur, si opinionin edhe ata që sot po zhvillojnë protesta, që të ulemi e të mendojmë sepse këtij vendi i nevojitet kohë për qetësi, kohë për bashkëpunim, kohë për integrime. Sepse atë s’mund ta bëjmë për një ditë”, tha Mustafa.

“Sa i përket deklaratave të kryeministrit të Serbisë, zotit Vuçiç, ai që merr leje për të hyrë në Kosovë, nuk mund t’i shpallë këto toka të tijat. Kryeministri i Serbisë ka hyrë në Kosovë me lejen e autoriteteve të Republikës së Kosovës. Askush nuk kërkon leje të hyjë në tokën e vetë, por ai ka kërkuar sepse ky vend i takon Republikës së Kosovës. Ky vend është shpallur shtet sovran, i pavarur dhe është pranuar nga më shumë se 100 shtete të botës, prandaj ne s’duhet ta kemi kompleksin se çfarë thotë dikush”, deklaroi Mustafa.

Kryeministri shtoi se familjarët e të zhdukurve respektohen duke krijuar kushte që të pagjeturit të kthehen, respekt të cilin sipas tij e ka gjithë kabineti qeveritar. Në konferencën e parë për shtyp të vitit të ri, kreu i qeverisë tha se, për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm është e pamundur të zbatohet e plotë marrëveshja kolektive, ndërsa rikonfirmoi se nuk do të ketë rritje të pagave në sektorin publik.

“Marrja e vendimit për të mos rritur pagat nuk është një vendim që neve na kënaq, por është një vendim të cilin kemi qenë të detyruar ta marrim, sepse nuk kemi pasur para. Unë s’mund t’iu them shërbyesve civilë, arsimtarëve, mjekëve, policëve, pjesëtarëve të FSK-së se do t’ia rrisim pagat në qoftë se nuk kemi para. Unë dëshiroj të jem i sinqertë me ta dhe t’iu them se nuk ka”, ka nënvizuar Mustafa.

Ndërsa sa i përket ndërmarrjes së Trepçës, Mustafa nënvizoi se po bëhen përpjekje që kjo ndërmarrje të shpallet kompani publike. “Ne kemi trajtuar në qeveri ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike, e kemi proçeduar këtë ligj në Kuvend dhe Kuvendi do ta trajtojë atë ditën e hënë, në leximin e parë besoj dhe në leximin e dytë. Me këtë ligj ne do të bëjmë përpjekje që Trepça, ose pjesa më e madhe e saj të shpallet kompani publike, në mënyrë që ajo të drejtohet, përkatësisht të menaxhohet, më vonë nga qeveria e Kosovës dhe të dalë jasht autoritetit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit”, saktësoi Mustafa.

Kryeministri Mustafa njoftoi se brenda 2 muajve do të kompletohen të gjitha bordet e agjencive të pavarura dhe kompanive publike. Ndërsa lidhur me kompletimin e kabinetit qeveritar, ai tha se është çështje ditësh emërimi i zëvendës ministrave.

Kryeministri i Kosovës rikujtoi se në mars do të zhvillohet takimi ndërqeveritar me Shqiërinë, ku do të diskutohen çështje konkrete të bashkëpunimit, duke theksuar se qeveria e Kosovës do t’i japë prioritet maksimal këtij bashkëpunimi.

Top Channel