Panariti – Krasniqi: Treg i përbashkët ushqimor

15/01/2015 00:00

Dy ministrat e Bujqësisë nga Kosova dhe Shqipëria janë takuar në
Prishtinë për të diskutuar forma e thellimit të bashkëpunimit mes dy
vendeve, që ta kenë një treg të përbashkët të ushqimit.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi tha se raportet midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jenë shembulli më i mirë i bashkëpunimit rajonal.

“Ishte një pajtim i përbashkët që bashkëpunimi në fushën e bujqësisë në sigurinë e ushqimit por edhe në fushat tjera të përgjegjësive tona duhet të avancohet edhe më tej në të ardhmen në mënyrë që të ketë një lehtësim të komunikimit, të qarkullimit dhe një ndihmesë edhe për prodhuesit, edhe për bizneset edhe për agrobizneset, dhe bizneset e tjera në fushat që ne mbulojmë”, tha Krasniqi.

 Ministri Krasniqi tha se deri në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, ai dhe homologu shqiptar do të nënshkruajnë disa dokumente konkrete për të lehtësuar edhe më tej bashkëpunimin në bujqësi mes dy vendeve.

 Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave në Shqipëri, Edmond Panariti bëri të ditur se në takim me ministrin Krasniqi janë përqendruar më së shumti në lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave në dy anët e kufirit.

 “Ne tani më kemi një paketë integrale të përbashkët e cila pasi mori natyrisht edhe miratimin paraprak të prodhueseve të të dyja vendeve do të formalizohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë si një paketë e njehsuar tashmë e standardeve të njësisë të sigurisë në fushën e shkëmbimit të drithërave dhe të miellit. Në këtë mes ne heqim përfunidimisht të gjitha barrierat që në mënyrë të panevojshme u bën pengesë vitin e kaluar lëvizjen e lirë të drithërave. Po sot unë pata rastin t’i paraqes ministrit Krasniqi edhe propozimet tona për njehsimin e standardeve edhe për artikujt e tjerë ushqimorë, duke filluar nga qumështi, nga verat, mjalti, vajo etj. dhe presim që pala kosovare, autoritet përkatëse të fushës të japin opionin e tyre në mënyrë që ne së shpejti të dalim me një paketë të përbashkët të standardeve të cilësisë së sigurisës edhe të këtyre produkteve, duke bërë një hap tjetër të vendosur për unifikimin e standardeve”, theksoi Panariti.

Dy ministrat e Bujqësisë, Krasniqi dhe Panariti thanë se thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe harmonizimi i legjislacionit po çon në krijimin e një tregu të përbashkët, duke e konsideruar këtë bashkimin e vërtet të shqiptarëve.

Top Channel