AAK, kritika qeverisë për çmimin e energjisë

15/01/2015 00:00

Shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi deklaroi të enjten se politikat e dëmshme të qeverisë, korrupsioni dhe interesat e individëve të caktuar kanë shkaktuar rritjen shqetësuese të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Në një konferencë për shtyp, Bujupi shpalosi disa rekomandime të këtij grupi parlamentar për Kuvendin e Kosovës dhe qeverinë, me qëllim të daljes nga kjo krizë.

“Në Kuvend do të thërrasim për llogaridhënie sa më parë ZRE-në, që është agjencia e themeluar nga Kuvendi, që drejt për drejt i përgjigjet Kuvendit, që të rishqyrtojë edhe një herë tarifat e energjisë elektrike dhe të ulë çmimin. Ndërsa nga qeveria do kërkojmë që të fillojë sa më parë zbatimin e strategjisë afatgjatë për shfrytëzimin e potencialit energjetik në vend për të mirën e qytetarit”, deklaroi Bujupi.

Kërkesa konkrete për qeverinë nga AAK është që të nisë ndërtimi i termocentralit Kosova C, për të cilin Bujupi kritikoi qeverinë Thaçi, që sipas saj, për 4 vite me radhë ka bllokuar realizimin e këtij projekti, duke shkaktuar edhe humbjen e interesit tek investitorët e huaj.

Bujupi tha se kjo konferencë është vetëm hapi i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me tarifat e larta të energjisë elektrike.

Top Channel