Vuçiç në Graçanicë, sërish thirrje nacionaliste

14/01/2015 00:00

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç  gjatë vizitës në Graçanicë
porositi ministrat serbë të kabinetit qeveritar të Kosovës të punojnë
për popullin serb dhe jo të pasurohen për vete.

“Ju që keni hyrë në qeveri në Prishtinë keni për detyrë  që të punoni dhe këtë ua them si Kryeministër i Republikës së Serbisë. Ju takon që të punoni për popullin toneë. Të vizitoni secilën shtëpi, çdo fshat në Kosovë e Metohi. Nëse keni hyrë në këtë qeveri që të pasuroheni vetë, ndërsa populli juaj të varfërohet , atëherë largohuni menjëherë”, tha Vuçiç.  

Qindra qytetarë me flamuj e parulla nacionaliste në duar dolën për ta pritur Vuçiç. Ai mori pjesë në përurimin e përmendores së Mbretit Milutin dhe në shenjë urimi për vitin e ri ortodoks vizitoi edhe Manastirin e Graçanicës.

Por ndryshe nga vizitat e mëparshme kryeministri serb këtë herë u shoqërua nga dy ministra të kabinetit qeveritar të Kosovës, të cilët vijnë nga radhët e komunitetit serb, zv.Kryeministri Branimir Stojanoviç dhe Ministri për Kthim, Aleksandër Jabllanoviç. Ishte Stojanoviç i cili sërish nuk kurseu deklaratat kundër shtetit të Kosovës.

“Sot e kemi zbuluar përmendoren e parë të Mbretit Milutin në Serbi. Ky është vetëm fillimi i detyrës së madhe. Pema është mbjellë, ta ujitim me ndjesi vëllazërore”, tha ai.

Lidhur me faktin se Kryeministri i Serbisë nuk e takoi Kryeministrin e Kosovës pavarësisht se vizita konsiderohet zyrtare, Vuçiç tha se do ta takojë Mustafën në Bruksel në kuadër të dialogut. Ai ironizoi me pyetjet e gazetarëve për sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës duke thënë se kjo është një ëndërr.

Aleksandër Vuçiç e përmbylli vizitën e tij në Kosovë në Komunën e Graçanicës, ku më 18 janar, pra këtë të dielë, do të mbahen zgjedhjet për kryetar komune. Në këtë kuadër Vuçiç i ofroi mbështetje të plotë kandidatit të Listës Srpska Vladeta Kostiç i cili është në mesin e kandidatëve për kryetar.

Top Channel