Mustafa: Trepça nuk tjetërsohet, do të marrë statusin që i takon

14/01/2015 00:00

Lidhur me rrezikun që Trepça të shkojë në likuidim pas datës 2 shkurt, ka reaguar nëpërmjet një statusi në Facebook edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

“Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës, nuk është një kompani e thjeshtë e cila mund të tjetërsohet. Qeveria do të ndërmarrë të gjitha hapat, në mënyrë që të sigurohet legjitimiteti dhe interesi kombëtar mbi Trepçën”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social.

Në postimin e tij, ai nuk tregon saktësisht për hapat që do të ndërmerren, por premton se Trepça do të fitojë statusin e duhur, që e dëshirojnë si minatorët edhe qytetarët e Kosovës.

“Po punojnë Ministritë përkatëse për të ofruar zgjidhjen afatgjatë, duke përfshirë edhe ruajtjen e vendeve të punës së mbi 5 mijë të punësuarve dhe atyre që potencialisht mund të punësohen në këtë gjigant kosovar. Vlerësoj angazhimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës, për të gjetur zgjidhje afatgjatë. Por, një gjë duhet të jetë e qartë: Trepça do ta marrë statusin që e dëshirojnë minatorët, që e dëshirojnë qytetarët e Kosovës”, përfundon deklarata e Mustafës në Facebook.

Top Channel