Kosovë, Trepça rrezikon të shkojë në likuidim

13/01/2015 00:00

Gjiganti metalurgjik Trepça rrezikon të shkojë në likuidim, e hapur ndaj kreditorëve nëse qeveria e Kosovës nuk ndërmerr veprimet e nevojshme ligjore para datës 2 shkurt.

Kjo, për shkak se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka vendosur të shkurtojë afatin për dorëzimin e planit të riorganizimit të Trepçës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nga data 2 prill në 2 shkurt.

Kjo temë u diskutua të martën në komisionin parlamentar për zhvillim ekonomik. Në një prononcim për Top Channel, kryetari Muhamet Mustafa tha se komisioni vlerësoi se, hapja e proçedurave të likuidimit për këtë ndërmarrje me interes të veçantë ekonomik do ta vendosë atë nën administrimin e ndikuar nga kreditorët, duke kthyer kështu prapa shumë procese pozitive për ringjalljen e prodhimit.

Mustafa shtoi se komisioni e njoftoi kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa për këtë situatë dhe kërkoi nga ai që të merren masa urgjente, para se vendimi i Dhomës së Posaçme të hyjë në fuqi.

Këtu bëhet fjalë për miratim të ligjit për ndërmarrjet publike, sipas të cilit Trepça nxirret nga administrimi i AKP-së dhe shndërrohet në ndërmarrje publike e menaxhuar nga shteti.

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Ylli Kaloshi tha për Top Channel se AKP-ja ka kërkuar fillimisht nga Dhoma e Posaçme që ta shtyjë vendimin për dorëzimin e planit të riorganizimit pasi ky plan nuk ishte përgatitur, por gjykata ka bërë të kundërtën, e ka shkrtuar afatin.

Sipas tij, AKP-ja aktualisht nuk e ka planin e riorganizimit dhe edhe po ta kishte nuk do të mund ta dorëzonte për shkak të bordit të pakompletuar.

Qeveria e Kosovës kishte nisur proçedurat ligjore për kthimin e Trepçës në ndërmarrje publike, por për shkak të vakumit institucional çështja ka mbetur pezull.

Likuidimi i Trepçës mund të çojë deri tek shitja dhe shpërndarja e saj midis kreditorëve, shumica e të cilëve i takojnë periudhës së viteve ‘90.

Lidhur me situatën ka reaguar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili përmes një postimi në Facebook është shprehur se, Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës dhe jo një kompani e thjeshtë që mund të tjetërsohet.

“Qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat në mënyrë që të sigurohet legjitimiteti dhe interesi nacional mbi Trepçën”, ka shkruar Mustafa.

Ne postimin e tij ai nuk tregon saktësisht se cilat do të jenë këto hapa, por premton se miniera do të fitojë statusin që dëshirojnë minatorët dhe qytetarët e Kosovës.

“Ministritë përkatëse po punojnë për të ofruar zgjidhjen afatgjatë, që përfshin edhe ruajtjen e vendeve të punës për më shumë se 5 mijë të punësuar dhe për ata që kanë potencial punësimi në këtë gjigand kosovar”, vijon Mustafa.

Duke vlerësuar punën që po bën komisioni përkatës parlamentar, shefi i qeverisë ka shtuar: “Një gjë duhet të jetë e qartë, Trepça do të marrë statusin që dëshirojnë minatorët dhe qytetarët e Kosovës”.

Top Channel