Kosovë, protestë kundër distributorit të energjisë

12/01/2015 00:00

Për pothuajse dy orë, qindra protestues kanë mbajtur të bllokuar hyrjen e selisë kryesore të distributorit të energjisë elektrike KEDS, në mënyrë që të mos lejonin qytetarët të paguanin faturat.

Protestuesit u larguan me forcë jashtë murit rrethues të ndërtesës nga njësia speciale e Policisë së Kosovës, e cila për shkak të rezistencës shoqëroi protestuesit Kushtrim Avdimetaj, Petrit Gora, Eroll Gashi e më vonë edhe Durim Jasharaj.

Protesta ishte organizuar nga Klubi Politik i Studentëve me kërkesat: ulja e çmimit të energjisë elektrike, kthimi i tarifës së lirë në orarin ditor dhe transparenca publike mbi pronarin e ri të distribucionit, KESCO.

Në anën tjetër, KEDS nëpërmjet një njoftimi për media ka sqaruar se nuk është ajo që përcakton çmimet e energjisë elektrike.

“Disa herë kemi deklaruar se KEDS është kompani private që vepron në një sektor të rregulluar publik. Çmimet, tarifat dhe struktura tarifore në Republikën e Kosovës përcaktohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. KEDS deri më 1 janar 2015 ka qenë në të njëjtën kohë distributori dhe furnizuesi i vetëm publik me energji elektrike në Republikën e Kosovës. Nga data 1 janar 2015, me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, është bërë ndarja e distribucionit dhe furnizimit dhe pronarët e KEDS kanë themeluar kompaninë KESCO, pronarë të së cilës janë prapë kompanitë Çalik dhe Limak”, thuhet në komunikatë.

Struktura aktuale tarifore, që përcakton edhe kohën kur aplikohet tarifa e lirë dhe e shtrenjtë e energjisë elektrike, është përcaktuar para ardhjes së KEDS dhe sërish është në kompetencë të ZRRE-së – thuhet ndër të tjera në njoftim.

Protestuesit vazhduan protestën deri pas orës 15 dhe paraljmëruan manifestime edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Protestën e përkhrahën edhe pensionistët, anëtarë të shoqërisë civile dhe disa sindikata të punonjësve publik.

Top Channel