Gjykata Speciale, opozita paralajmëron votën kundër

12/01/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka nisur hartimin e projektligjit për Gjykatën Speciale, e cila do të gjykojë pretendimet për krimet e supozuara të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së.

Burime të Top Channel brenda qeverisë bëjnë të ditur se Ministria e Drejtësisë, e cila po harton projektligjin në fjalë, është duke përgatitur edhe amendamentet e nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës, për t’i hapur rrugë krijimit të një gjykate jashtë shtetit.

Për ndryshimin e ligjeve të nevojshme dhe të Kushtetutës së Kosovës nevojiten dy të tretat e deputetëve, të cilat koalicioni aktual qeverisës i ka të sigurta meqenëse deputetët e Listës Serbe kanë thënë se do të votojnë pro formimit të Gjykatës Speciale.

Por deputetët e opozitës, të cilët paralajmërojnë votën kundër, do të përpiqen ta ndalojnë krijimin e saj. Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, që është kryetare e Komisionit për Legjislacion, tha se kjo gjykatë do dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Kosovës, ndërsa paralajmëroi se nuk do t’ia rekomandojë seancës për miratim.

“Ne duhet ta shqyrtojmë edhe bazën ligjore përveç aspektit politik, për shkak se një projektligj i tillë bie në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, kapitullin për sistemin e drejtësisë, për shkak se nuk është i inkorporuar në sistemin e drejtësisë”, deklaroi Haxhiu.

Edhe dy partitë e tjera opozitare, AAK dhe Nisma për Kosovën do të votojnë kundër themelimit të kësaj gjykate. “Do të votojmë kundër sepse konsiderojmë që kjo gjykatë paraqet një lajm të keq për vendin, për faktin se ka ardhur si nevojë, pas dështimit të gjyqësorit vendas”, tha Donika Kadaj Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK.

“Gjykata Speciale nuk duhet të lidhet me çështjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse jemi të bindur që UÇK-ja nuk i ka bërë krimet që pretendon raporti i Dick Marty. Në anën tjetër, ne e dimë se për krimet e luftës ka qenë gjykata e Hagës, e cila ka marrë njerëz nga Kosova, i ka gjykuar dhe janë shpallur të pafajshëm”, deklaroi Jakup Krasniqi, shef i grupit parlamentar të NPK.

Për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në fund të janarit është paraparë të diskutohet edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Edhe në Bruksel ka debat rreth kësaj gjykate sa i përket buxhetit prej 350 milionë eurosh, siç është kërkuar, por edhe për vendndodhjen e saj.

Top Channel