Autobusët me emigrantë vërshojnë drejt BE-së

10/01/2015 00:00

Ndërsa autoritetet në Prishtinë thonë se të gjithë emigrantët ilegalë do të kthehen në Kosovë, largimi i qytetarëve drejt Perëndimit vazhdon  pa u penguar nga askush.

Mjafton të shkosh në stacionin e autobusëve në Prishtinë për të parë se si mbushen autobusët njëri pas tjetrit me qytetarë, të cilët me pak para në xhep dhe me nga një çantë krahu marrin rrugën e migrimit ilegal.

Kameramani i Top Channel qëndroi për tri orë rresht në stacion mbrëmjen e së premtes dhe vetem nga Prishtina u nisën drejt Serbisë pesë autobusë, ose përkthyer në shifër konkrete mbi 200 qytetarë.

Autobusi i parë niset në ora 9.30, ndërsa i fundit, që është i pesti në radhë, në ora 24:00. Të gjithë kanë destinacion Beogradin për të vazhduar drejt Suboticës, disa në mënyrë të organizuar e disa në kërkim të fatit për ta tejkaluar kufirin hungarez pa mbështetjen e sekserëve.

Ata që marrin këtë rrugë nuk flasin para kameras, të paktën përsa kohë ndodhen në stacion, por jashtë saj tregojnë historitë e tyre dhe arsyet e largimit, që me një togfjalësh mund ta përkufizojmë “mungesë përspektive në shtetin e tyre”.

Mes atyre qytetarëve mund të takosh të rinj të cilët kanë përfunduar edhe studimet pasuniversitare, por që nuk kanë mundur të punësohen. Por edhe të atillë që kanë hequr dorë nga paga prej 250 eurosh për diçka më të mirë në Perëndim.

Kjo situatë bëhet më shqetësuese kur karvanit të ikjes po i bashkohen edhe shumë të moshuar dhe familje të tëra me fëmijë të vegjël. Në gjithë këtë situatë, as edhe një polic i vetëm nuk ishte i pranishëm në stacionin e autobusëve.

Të vetmit që shkaktuan probleme, edhe duke kërcënuar kameramanin e Top Channel për shkak të xhirimeve, ishin pronarët e autobusëve.

Ata refuzojnë të flasin për destinacionet e tyre, por nga ajo që kuptohet nga tabelat informuese është se këta autobusë mbledhin qytetarë në rjaone të ndryshme të Kosovës me pikënisje qendrore Prishtinën. Këtë herë, numri më i madh i atyre që u larguan janë nga Prishtina, Ferizaj dhe Shtimja.

Top Channel