Kontrata Kolektive, qeveria premton zbatimin. Sindikatat kërcënojnë me grevë

08/01/2015 00:00

Ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale, Arban Abrashi është takuar të enjten me kryetarin e Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e arritur mes qeverisë dhe dhomave ekonomike të sektorit privat, e që parashikon që nga janari i këtij viti punëdhënësit t’u paguajnë punëtorëve ushqimin gjatë punës, sigurimin shëndetësor dhe vitet e përvojës.

Pas takimit, ministri Abrashi nuk është prononcuar për media, por Jusuf Azemi ka cituar ministrin t’i ketë thënë se marrëveshja është në fuqi dhe duhet të zbatohet.

Sipas Azemit, ministri Abrashi gjatë takimit ka thënë se Oda Ekonomike e Kosovës është ajo që ka shprehur skepticizëm për zbatimin e kontratës kolektive dhe jo ministri.

Me kërkesë për zbatimin e kontratës kolektive dhe zbatimin e ligjit për rritjen e pagave, në konferencë për shtyp dolën edhe Sindikata e Shëndetësisë, e Arsimit, Policisë, Administratës Publike dhe Shërbyesve Civilë.

“Kërkesat tona janë që kontrata e përgjithshme kolektive dhe kontratat sektoriale të fillojnë së implementuari. Ato janë të panegociueshme, sikurse ligjet që janë aprovuar, si ligji mbi pagat që duhet të nisë gjithashtu zbatimin. Ndërkohë, që nga ky moment qeveria ka kohë të bisedojë për ngritjen e pagave në 3 muajt e parë të vitit dhe kjo duhet të vlejë për rritjen retroaktive nga 1 janari”, deklaroi Blerim Syla nga Sindikata e Shëndetësisë.

Përfaqësues të këtyre sindikatave u shprehën të irrituar për atë që e quajtën “reflektim jo serioz” nga ana e qeverisë. Nga Sindikata e Arsimit u paralajmërua braktisja e orës së parë të mësimit më 13 janar, ndërsa më 16 janar do të mbahet një grevë njëditore.

“Më 13 janar nuk do të mbahet ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës. E kam fjalën këtu për arsimin parauniversitar. Nëse nuk reflektohet, të premten më 16 janar do të mbahet një grevë njëditore, gjithmonë duke lënë hapësira për bisedime. Pra, qeveria ka 1 javë kohë që të reflektojë”, deklaroi Lutfi Mani.

Përfaqësues të të gjitha sindikatave të sektorit publik kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa që t’i ftojë në takim për të diskutuar një zgjidhje të mundshme, në mënyrë që të shmanget ajo që e quajtën “çrregullimi i shtetit”.

Sindikalistët njoftuan se tashmë janë mbledhur mijëra nënshkrime të punëtorëve të sektorit publik, të cilët përkrahin greva dhe veprime të tjera. Në rast se nuk zbatohet kontrata kolektive, greva dhe protesta janë paralajmëruar edhe nga sindikata e sektorit privat.

Top Channel