Debate pas tragjedisë: atentati nuk erdhi fare papritur

08/01/2015 00:00

“Atentati i Parisit do ta nxisë edhe më tepër debatin për fenë islame dhe për refugjatët, por ne nuk mund të bëjmë ç’ të duam as me lirinë dhe as me tolerancën”.

Ky është mendimi i analistit Christoph Hasselbach. Sipas tij, ndodhi të tilla nuk vijnë krejt papritur. Revista satirike “Charlie Hebdo” i pati rishtypur që në vitin 2006 karikaturat e Muhametit të gazetës daneze “Jyllands Posten”, të cilat bënë që myslimanët të ngrihen në revolta në të gjithë botën.

“Atëherë pati shumë atentate në shtetet islamike kundër përfaqësive daneze dhe përfaqësive të shteteve të tjera perëndimore”, thotë Hasselbach për “Dojçe Vele”.

Në vitin 2011, në ambientet e redaksisë së “Charlie Hebdo”-së në Paris u krye një atentat me zjarrvënie. Kjo nuk e frenoi gazetën që të satirizojë edhe më tej Muhametin dhe fenë islame, midis të tjerash me një botim të posaçëm “Sharia”, nën një “kryeredaktor Muhamet”.

Nuk duhet të jetë rastësi që faqja e parë e botimit më të fundit të gazetës tregon fotografinë e Michel Houellebecq-ut. Shkrimtari sapo ka botuar romanin e tij shumë të diskutueshëm “Nënshtrimi”, në të cilin Franca qeveriset nga një president mysliman.

A i lejohet një reviste të bëjë humor për një fe ose për shenjtorin e saj? Natyrisht që i lejohet, brenda kuadrit të ligjeve të vendit. “Charlie Hebdo” e ka vënë herë pas here në shënjestër edhe Papën dhe ka fituar me këtë rast edhe një konflikt juridik me një organizatë katolike. Të krishterët katolikë mund të zemërohen pa masë për satirat që përqeshin Papën, por i pranojnë ato. Edhe qeveria nuk përzihet.

Për myslimanët, sipas Hasselbach, nuk mund të ketë trajtim të veçantë. Praktikisht, në të gjitha vendet e BE-së vitet e kaluara janë forcuar partitë ksenofobe, kujton eksperti. Edhe në Gjermani, Pegida kundërshtare e atij që e sheh si islamizim të Europës, po shton radhët e simpatizantëve. Bashkëjetesa sociale nuk do të bëhet më e lehtë dhe ne duhet të jemi syhapur, por në asnjë mënyrë nuk duhet ta braktisim tolerancën, shton ai, duke argumentuar se nuk ka asnjë arsye përse të gjithë myslimanët të shihen me dyshim apo të vihet në pikëpyetje modeli i bashkëjetesës paqësore.

Top Channel