Fëmijët e dëshmorëve, vijon debati me UP

07/01/2015 00:00

Regjistrimi pa provim pranues i studentëve të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, në bazë të një memorandumi të vitit 2009, vazhdon të mbetet problem mes rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, Ministrisë së Arsimit dhe shoqatave të dala nga lufta.

Pas këmbënguljes së rektorit Zejnullahu se nuk mund të bëjë regjistrimin e studentëve jashtë kritereve të konkursit dhe në kundërshtim me vendimet e organeve të tij, ka reaguar ministri i Arsimit, Arsim Bajrami. Bajrami i është përgjigjur rektorit Zejnullahu me një shkresë në të cilën thuhet:

“Ju kam informuar që ky memorandum bashkëpunimi nuk ishte shkëputur nga asnjëra palë dhe vazhdon të mbetet në fuqi. Megjithatë, ne nuk pretendojmë të merremi me karakterin juridik të memorandumit apo me modalitetet që dalin nga kjo marrëveshje. Këto çështje u takojnë organeve të Universitetit dhe shoqatave përkatëse si palë nënshkruese. Bazuar në shkresën tuaj po kuptoj që ju keni vendosur të ndërprisni këtë memorandum të bashkëpunimit me shoqatat e dala nga lufta. Ju lutem që njoftimin për këtë vendim t’ua përcillni zyrtarisht shoqatave përkatëse si palë nënshkruese”, thuhet në deklaratë.

Reagimi i ministrit Bajrami erdhi pas letrës që pranoi nga rektori Zejnullahu në të cilën thuhej: “Ashtu siç ju kemi informuar, Senati i Universitetit ka marrë vendim të pranohen të gjithë kandidatët nga familjet e dëshmorëve që kanë arritur pragun minimal të kalueshmërisë, gjithsej 79 studentë. Ndërkaq, në afatin e dytë të konkursit, Senati i Universitetit ka vendosur që t’u jepen nga 5 pikë bonus të gjithë kandidatëve nga familjet e dëshmorëve dhe 50 kandidatë janë regjistruar duke e shfrytëzuar këtë privilegj”.

Më tej në letër thuhej se, “Universiteti i Prishtinës nuk mund të bëjë regjistrimin e studentëve jashtë kritereve të konkursit dhe në kundërshtim me vendimet e organeve të tij, dhe tanimë i ka mbështetur kandidatët nga kategoritë e dala nga lufta, madje duke u dhënë bonus dhe duke regjistruar 129 prej tyre”.

Top Channel