Kosovë, vështirësi qarkullimi prej reshjeve të dëborës

05/01/2015 00:00

Pas reshjeve të borës, e cila vazhdon të bie në pothuajse gjithë
Kosovën, Policia e Kosovës ka njoftuar se të gjitha autostradat dhe
rrugët urbane, janë të kalueshme, por disa prej tyre kanë vështirësi në
qarkullim.

“Në bazë të informacioneve të vazhdueshme që kemi nga të gjitha drejtoritë rajonale lidhur me gjendje e rrugëve, mund të themi se në aspektin e vlerësimit të përgjithshëm të gjitha rrugët rajonale, autostradat dhe ato urbane konsiderohen të kalueshme por disa prej tyre të vështirësuara për qarkullim, duke përfshirë ato rrugë në zona të thella malore dhe në fshatra” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Rruga Pejë-Kullë –Rozhajë, është e kalueshme, por pajisjet dimërore janë te domosdoshme, kurse kalimi për automjete të rënda është i pa kaluar.

Rrugët të vështirësuara për qarkullim, por të kalueshme janë Prishtine –Mutivode, rrugët rajonale dhe lokale në Mitrovicë të Veriut, rruga Gjilan -Muqibabë dhe Gjilan –Novobërdë.

Ndërsa në pikat kufitare vazhdon të ketë kolona të automjeteve. Në pikëkalimin kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë kolona e automjeteve është rreth 300 metër, me pritje rreth 1 orë, përderisa në pikat tjera kufitare nuk ka pritje fare.

Policia e Kosovës i ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar në komunikacion dhe të zotërojnë pajisjet e nevojshme dimërore.

Top Channel